Statusi: E mbaruar 19 maj 2011 17:07 (CEST)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Situata jashtë ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve paraqitet pak më e qetë, ndryshe nga ç’ishte disa orë më parë kur mbështetës të Partisë Socialiste tentuan të thyejnë kordonin e policisë, në përpjekje për të hyrë brenda institucionit kryesor që administron procesin zgjedhor, transmeton Rel.

Si pasojë e këtij konfrontimi fizik, policia e shtetit njoftoi se të paktën dy pjesëtarë të saj janë lënduar lehtë dhe janë dërguar në spital për mjekim. Ndërsa, nga radhët protestuesve nuk raportohet për të plagosur.

Aktualisht, përfaqësues të PS-së, deputetë dhe përkrahës, janë tërhequr në këto momente nga ambienti jashtë ndërtesës së KQZ-së.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i zgjedhjeve vazhdoi mbledhjen e nisur që prej orës 10 të paradites, me gjithë zhvillimet jashtë ndërtesës së KQZ-së.

Ndërkaq, vazhdon procesi i numërimit të të tjera votave të cilësuara të kontestuara. Nga numërimi i deritashëm, kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, rezulton të jetë në avantazh krahasuar me kandidatin e Partisë Socialiste Edi Rama.

Në mbledhjen e Komisionit nuk munguan debatet dhe akuzat politike mes përfaqësuesve të njërës apo tjetrës palë në KQZ.

Ndërkohë, protesta të ngjashme me atë para KQZ-së u mbajtën edhe në disa qytete të tjera të vendit, si në Gjirokastër, Lezhë etj, ku mbështetës të PS-së bllokuan edhe rrugën kombëtare.

Ky tensionim i situatës në vend ka bërë që të anulohet vizita e presidentit të KE-së Hose Manuel Barroso, e planifikuar për ditën e premte.

Edhe gjatë ditës së mërkurë ka pasur reagime nga KE-ja, nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Ketrin Eshton, e cila u bëri thirrje palëve të gjejnë zgjidhje.

Lexo artikullin e bashkangjitur

redakto

Burimet

redakto