Serbia synon të mbajë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë

E martë, 13 mars 2012

Serbia vendosi sot mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e lokale më 6 maj, me synimin që ato të mbahen edhe në Kosovë, me gjithë kundërshtimin e Prishtinës dhe autoriteteve ndërkombëtare. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, në mesditë shpalli zgjedhjet parlamentare duke bërë thirrje për pjesëmarrje në shkallë të gjerë në një periudhë zhvillimesh të rëndësishme për Serbinë.

“U bëj thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 6 majit dhe që sërish me votën e tyre, të riafirmojnë qasjen demokratike dhe liridashëse të shoqërisë. U bëj thirrje njerëzve të bëjnë zgjedhjen e tyre, një zgjedhje për një të ardhme më të mirë, jetë më të mirë dhe për mundësi të reja për të gjithë”, tha presidenti serb Boris Tadiç.

Boris Tadiç, presidenti i Serbisë

Në orët e pasdites, kryetarja e Parlamentit të Serbisë Slavica Gjukiç Dejanoviç, shpalli zgjedhjet lokale përfshirë edhe disa komuna të Kosovës. Ajo u tha medieve serbe se qeveria e Serbisë në bashkëpunim me UNMIK-un, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë. Serbia është e detyruar të respektojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, citohet të ketë thënë ajo.

Organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë është kundërshtuar nga qeveria e Kosovës e cila vlerëson se rezultatet e tyre nuk do të kenë asnjë fuqi juridike, ndërsa i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë të ushtrojë trysni mbi Serbinë, që të heq dorë nga synimet e tilla.

Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm të autoriteteve ndërkombëtare në Prishtinë të cilat kanë tërhequr vërejtjen se organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë bie ndesh me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar, kishte deklaruar më herët se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe mund ta përkeqësojë situatën dhe jo të zgjidhë problemet. Sipas tij, Bashkimi Evropian pret nga vendi që është kandidat për anëtarësim, të sillet në përputhje me statusin që ka dhe të zgjidhë problemet me bisedime dhe jo në mënyrë të njëanshme.

Në fillim të këtij muaji, Serbia mori statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pas një marrëveshjeje me Prishtinën për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale. Kosova tash përfaqësohet me emrin e saj por me një shënim të veçantë në të cilin thuhet se “ky emër nuk paragjykon statusin dhe është në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi deklaratën pavarësisë së Kosovës”. Kandidatura e Serbisë dhe qasja ndaj Kosovës pritet të jetë thelbi i fushatës paraelektorale ne Serbi.

Bashkimi Evropian nuk kushtëzoi kandidaturën e Serbisë me njohjen e Kosovës por nguli këmbë që Serbia të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën. Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje Serbisë të ndihmojë shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës dhe të mënjanojë strukturat paralele të sigurisë, ndërsa Prishtinës i kanë kërkuar një plan gjithëpërfshirës për zgjidhjen e situatës së atjeshme. Prishtina ngulë këmbë që gjendja në veri të zgjidhet në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës. Por, vëzhguesit thonë se një trajtim i posaçëm i veriut të Kosovës mund të jetë pjesë e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që pritet të vazhdojnë pas zgjedhjeve në Serbi.


Burimet