Dialogu Kosovë-Serbi ende i bllokuar, ndërsa vihen re çështje më të mëdha

E martë, 14 shkurt 2012

Ka më shumë se dy muaj që kur negociatorët nga Serbia e Kosova u ulën përballë në tryezën e diskutimeve për të diskutuar mbi çështje teknike. Çështje më të mëdha, duke përfshirë probleme tepër të ngarkuara, si personat e humbur, mbeten të patrajtuara.

Bajram Cerkini nga Mitrovica humbi djalin e tij 19 vjeç më 1999 dhe 13 vjet më pas nuk ka ende asnjë informacion se çfarë ndodhi me të.

Ai është i hidhëruar se duke marë pjesë në bisedimet nis e lërë të ndërmjetësuara nga BE me Kosovën, Serbia mund të vijë pranë pranimit në BE pa trajtuar çështje të tilla si reparacionet e luftës e personat e humbur.

"Brukseli nuk është serioz për këtë. Po të ishte, kjo çështje mund të ishte vendosur si një parakusht për çdo përparim të mëtejshëm të Serbisë drejt BE-së. Të gjitha shënjat deri tani janë se Brukseli nuk e ka marrë këtë çështje seriozisht deri tani sepse do të thotë gjithashtu se disa njerëz duhet të përballen me drejtësinë, të shkojnë përpara gjykatës," tha Cerkini për SETimes.

Këto çështje më të mëdha nuk janë ende thelbi i bisedimeve në vazhdim mes Kosovës e Serbisë.

Dialogu, që filloi në mars 2011, shkon përpara ngadalë, duke u përqëndruar në vend të kësaj në çështje teknike, megjithse ka patur disa përparime të rëndësishme. Zgjidhjet e kompromisit, për shembull, u gjetën lidhur me administrimin e integruar të kufirit. Por çështje të tjera teknike si energjia, telekomunikacionet e përfaqësimi rajonal i Kosovës, janë ende larg prej zgjidhjes dhe data për rifilimin e bisedimeve mbetet e pavendosur. Seanca e fundit ishte më 2 dhjetor.

"Nuk mund të konfirmoj datën e raundit të ardhshëm ... në këtë çast. Jemi të prirur të shohim dialogun që të vazhdojë e të dyja palët të mbeten të angazhuara," thotë për SETimes Maja Koçijançiç, zëdhënëse e BE-së.

Ajo që e ndërlikon të gjithë gjendjen janë dy veprime të reja nga partitë opozitare të Kosovës. Kryesorja, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) bëri thirrje më 7 shkurt për një ndërprerje zyrtare të dialogut. Udhëheqësi i saj, Isa Mustafa, që është gjithashtu kryebashkiaku i Prishtinës, i tha për Transmetuesin Publik të Kosovës RTK se ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurohet se Kosova nuk është kundër bisedimeve me Serbinë, "është absurde ... të hysh në dialog me dikë që ka hyrë në territorin (e Kosovës) me forca kriminale, forca të krimit të organizuar, që ka bllokuar një pjesë të vendit dhe nëpërmjet asaj pjese krijon evazion fiskal e shkel sovranitetin territorial të vendit, [ndërsa] vazhdojmë dialogun e sillemi sikur nuk shohim kurrgjë."

Partia tjetër e opozitës, Vetëvendosje, provoi një taktikë të ndryshme ditën që pasoi, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse marrëveshjet e arritura deri tani, të konsideruara marrëveshje ndërkombëtare, kërkojnë ratifikim nga parlamenti. Partia organizoi gjithashtu dy protesta muajin e kaluar, që kishin për qëllim të detyronin qeverinë të zbatonte reciprocitetin me Serbinë në kufi.

Edita Tahiri, kreu i ekipit të bisedimeve të Kosovës, tha se reparacionet e luftës e shënimi i kufirit do të trajtohen këtë vit. Rendi i ditës, shtoi ajo, është mbështetur në atë që është konsideruar një përparësi nga të treja palët: Kosova, Serbia e BE.

Sa për reparacionet e luftës, "Serbia duhet të ndërmarrë detyrimet që rrjedhin nga përgjegjësia e saj për luftën në Kosovë", tha ajo për SETimes.

Beogradi ka një pikëpamje krejtësisht tjetër. Borko Stefanoviç, kreu i ekipit të bisedimeve të Serbisë, thotë për SETimes "Reparacioni nuk mund t'i paguhet dikujt që jeton në të njëjtin shtet. Kjo është gjëja e parë."

Marko Milanoviç, profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Notinghamit të Britanisë, është dakort, duke thënë për SETimes se është shumë e vështirë për Kosovën të pretendojë reparacione lufte nga Serbia, kryesisht sepse gjatë konfliktit në Kosovë, ajo nuk ishte një shtet i pavarur.

"Me fjalë të tjera, Serbia kishte shkelur atëhere të drejtat e shtetasve të saj, jo ligjin e një shteti tjetër," thotë Milanoviçi.

Avokati kosovar Adil Fetahu thotë për SETimes se Serbia duhet të kompensojë për miliardat në dëme materiale e jo materiale që i shkaktoi Kosovës dhe se Prishtina duhet të vazhdojë t'a kërkojë atë. "Kjo është ... një punë mjaft e madhe, që mund të zvarritet për vite e dekada," përfundon Fetahu, duke shtuar: "Nuk ka shans të arrihet një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në çështjet e reparacioneve të luftës dhe kompensimit ... arbitrazhi ndërkombëtar duhet të vendosë për këtë."

Fetahu beson se shënimi i kufirit me Serbinë është gjithashtu një çështje politike e ndërlikuar dhe "pa asnjë shans" që të zgjidhet në të ardhmen e afërt".

Ai vë në dukje, megjithatë, kërkesën se "asnjë shtet nuk mund të bëhet një anëtar i BE-së pa zgjidhur kundërshtimet kufitare me fqinjët. Çdo shtet duhet t'i përgjigjet me korrektësi e saktësi pyetësorit të BE-së për atë se kush është kufiri i tij me secilin nga vendet fqinjë."

Sa për kontrollin e kalimeve kufitare, Dushan Janjiç, studjues në Institutin e Shkencave Shoqërore të Beogradit, vlerëson marrëveshjen e arritur gjatë verës në këtë mënyrë: "Në zbatimin e kësaj marrëveshje, do të kemi një gjendje absurde ku gjërat do të duken më mirë në letër e mes negociatorëve sesa në terren," thotë ai për SETimes. photo

Personeli i KFOR-it poi luan një rol udhëheqës në kalimin e trazuar të Bërnjakut. [Reuters]

Ai përshkruan një gjendje "të dyfishtë" tani me dialogun teknik, që për Beogradin "bëhet pa miratim politik e mbështetje në terren". Komuniteti ndërkombëtar e autoritetet e Kosovës, thotë ai, po përpiqen të marrin "sa më shumë që të jetë e mundur nga Beogradi, për të qenë në gjendje që t'a zbatojnë atë në një moment më të përshtatshëm".

Anëtarët e publikut vrasin mendjen se kur do të trajtohen çështjet e mëdha. Banorja e Prishtinës Besnike Salihu thotë për SETimes: "Marrëveshjet e arritura deri tani janë arritur me vështirësi. Ka probleme me zbatimin e tyre gjithashtu. Nuk mendoj [se shënimi i kufirit] do të jetë fare në rendin e ditës për këtë periudhë kohe."

Sasha Deniç, një serb i Kosovës nga Gjilani, në Kosovën lindore, as që e konsideron çështjen e reparacioneve të luftës. "Një pjesë e Kosovës duhet t'i paguajë pjesës tjetër të Kosovës apo ata që qëndruan duhet t'u paguajnë atyre që lanë Kosovën?" thotë ai për SETimes.

Të gjithë duket se bien dakort, megjithatë, se çështja e personave të humbur duhet të trajtohet së shpejti. Komisioni Ndërkombëtar i Personave të Humbur thotë se eshtrat e 2,370 personave të humbur janë përcaktuar e identifikuar. Shefja e Komisionit Kathrinë Bomberger thotë se ka afërsisht 1,800 vetë ende të njoftuar si të humbur nga konflikti i Kosovës dhe "një rënie e qëndrueshme gjatë viteve në gjetjen e personave të humbur".


Stefanoviçi i Beogradit thotë se palët nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë një mekanizëm që do të mundësojë gjetjen më të efektshme të të humburve. "Dhe kjo është ajo për të cilën këmbëngulim," thotë ai.

Gordana Gjukanoviç, nga Shoqata serbe e Familjeve të Personave të Rrëmbyer e të Vrarë në Kosovë, thotë për SETimes se ka 512 serbë e jo-shqiptarë në listën e personave të humbur nga Kosova.

"Përpara sesa të fillonin bisedimet mes Beogradit e Prishtinës patëm një takim me Z. Stefanoviç kur na tha se në rendin e ditës të çështjeve kjo do të diskutohet," thotë Gjukanoviçi për SETimes, duke shtuar se ishin të habitur kur çështja nuk ishte përmendur fare.

"Shpresoj se autoritetet e Beogradit e autoritetet në Prishtinë do të bien dakort, me të vërtetë e me sinqeritet, që të nisin të gjejnë e të shvarrosin varret për të cilat kemi dhënë harta e dëshmitarë të gjallë dhe së fundi, gjithashtu, të nisin identifikimin, me qëllim që familjet të gjejnë fatin e të humburve të tyre," thotë ajo.


Burimet