Cyber, WikiLeaks dhe mbrojtja e të dhënave - Politizimi i hapësirës virtuale
Jetojmë në epokën e revolucionit të informacionit e të teknologjive gjithnjë e më të shpejta kompjuterike. Viti 2010 mund të hynte në historinë e botës si viti që perceptoi edhe dimensionin ushtarak të këtij revolucioni.
Ekziston një term që përfshin gjithçka që ka të bëjë me militarizimin e hapësirës virtuale: Stuxnet. Ky program i dëmshëm u shfaq befasisht në verë, ndoshta mbasi e kishte kryer misionin e tij, pra sabotimin e qëllimshëm të programit atomik të Iranit. Ajo çka i çuditi më shumë specialistët ishte fakti që Stuxnet ishte përgatitur enkas për të manipuluar sistemet dirigjuese në industri. Krijuesit e tij e kanë pajisur edhe me një sërë veglash për infektime sistemesh të izoluara komunikimi. Sistemet e sulmuara nga Stuxnet janë instaluar në të gjithë botën: nëpër reaktorë bërthamorë, impiante kimie ose rafineri. Kjo kërkon detyrimisht një rishikim të analizave të rrezikshmërisë, është i mendimit Stefan Ritter nga Zyra Federale e Sigurisë në Teknikën e Informimit me seli në Bonn. "Ne tani kemi dëshmi. Nuk kemi të bëjmë vetëm me kërcënime fiktive, për të cilat flasin ekspertët pas dyerve të mbyllura. Kërcënimi është real dhe jashtëzakonisht i madh e tepër i rafinuar," thotë ai.
Edhe NATO ndërkohe ka reaguar ndaj kërcënimeve që vijnë nga universi elektronik, pra asaj që njihet me emrin Cyberspace. Në samitin Lisbonës në mesin e nëntorit, aleanca veri atlantike vendosi një strategji të re. Ajo i ka deklaruar sulmet e hapësirës virtuale një nga tre kërcënimet më të mëdha të kohës së sotme, ashtu si edhe terrorizmi dhe armët e asgjësimit në masë. Strategjia e re e NATO-s u përgatit nga një komision nën drejtimin e ish- ministres së Jashtme amerikane, Madeleine Albright.
Shih dhe këtë
redakto- SHBA përgatiten për luftë Cyber (27. Dhjetor 2010)
- Google Street View hyn në Gjermani (27. Dhjetor 2010)
Burimet
redakto- "www.Lajmet.com" — 27. Dhjetor 2010