Zgjedhjet: Regjistrohet në KQZ koalicioni i djathtë Aleanca për Qytetarin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) regjistroi sot koalicionin e djathtë "Aleanca për Qytetarin", i përbërë nga 22 parti, i cili do të konkurojë në zgjedhjet e ardhshme lokale të 8 majit.
Burime zyrtare nga KQZ bënë të ditur për ATSH-në se "Aleanca për Qytetarin", i drejtuar nga PD, është koalicioni më i madh që ka nënshkruar ndonjëherë PD-ja, me 8 parti më shumë sesa në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s. Po sot, pranë institucionit zgjedhor dy partitë e opozitës, PS dhe PBDNJ sollën propozimet për komisionerët në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).
Këto forca politike refuzuan të respektonin afatet ligjore (24 janar) për paraqitjen e komisionerëve të tyre në KZAZ, duke e detyruar KQZ-në të shpallte vakante vendet e opozitës në këto komisione dhe duke bërë zëvendësimin e tyre me përfaqësues nga shoqëria civile.
Burimet
redakto- "Zgjedhjet: Regjistrohet në KQZ koalicioni i djathtë Aleanca për Qytetarin" — Radio Televizioni Shqiptar, 21. Mars 2011