Lajme të shkurtra redakto

20 Maj

  • Lëvizja Vetëvendosje të enjten ka ri-publikuar kontratën ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare, me vulat dhe nënshkrimet e të dyja palëve. Shpend Ahmeti ka thënë se posedojnë një dokument të “Eversheds”, kompani e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për ta konsultuar në lidhje me kontratën me “Bechtel-Enka”, sipas të cilës kontrata me konsorciumin turko-amerikan është i pafavorshëm për Kosovën.
  • Komisioni Qendror Zgjedhor i Shqipërisë ka mbyllur për të enjten procesin e numërimit të votave, ndërkohë që ka përfunduar edhe protesta e mbështetësve të socialistëve para selisë së KQZ-së.
  • Federata e Futbollit e Anglisë (FA) nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet për president të FIFA-s, pasi që nuk ka mund të vendosë ndërmjet dy kandidatëve me të cilët ndërlidhen pohime të ndryshme për korrupsion.
  • Edhe pse me intensitet të shtuar të punës në pastrimin e lumit Lushta që kalon nëpër qytetin e Mitrovicës, punëtorët e Kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave “UNITETI” në Mitrovicë, nuk janë të kënaqur me pagat e tyre dhe kërcënojnë sërish me ndërprerje të punës.

19 Maj

  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga organet e drejtësisë në Kosovë që të angazhohen për ngritjen e aktakuzës për masakrën në Burgun e Dubravës, të kryer nga forcat serbe në maj të vitit 1999, por edhe për masakrat tjera të kryera gjatë luftës në Kosovë.
  • Ndërkohë që Komisioni Qendror Zgjedhor i Shqipërisë po vazhdon numërimin e votave të kontestuara për kryetar të bashkisë së Tiranës, Partia Socialiste ka nisur protestat në shumë qytete të vendit, përfshirë Durrësin dhe Vlorën.
  • Drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se tash më është përzgjedhur kompania fituese për pasaportat biometrike dhe se pajisja e qytetarëve të Kosovës me pasaporta të tilla do të fillojë muajin tetor, në rast se gjatë procedurave ligjore nuk haset në ndonjë parregullsi.
  • Opozita ka vënë në “kryq” Qeverinë e Kosovës për shpenzime të mëdha gjatë shqyrtimit të raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010, duke vlerësuar se Qeveria Thaçi jo vetëm që nuk u është përmbajtur premtimeve për ulje të shpenzimeve në sektorë të ndryshëm, por madje i ka rritur ato.