Shtypi britanik për akuzat ndaj Thaçit
Shtypi britanik i së mërkurës ndalet gjerësisht tek një projek-raport i përgatitur për Këshillin e Europës, ku kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohet për lidhje me një grup të organizuar kriminal të implikuar në abuzimin e të drejtave të njeriut të njeriut, trafikimin e armëve, drogës dhe organeve njerëzore.
Në raportin e reporterit të Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dick Marty, thuhet se rrjeti kriminal doli në pah nga fundi i viteve 90-të, kur lëvizja guerile drejtoi një kryengritjeje kundër kontrollit serb të Kosovës. E përditshmja britanike The Guardian ka të mërkurën në ballinë artikullin me titull "Kryeministri i Kosovës 'kontrollon tregtinë e paligjshme të organeve'" dhe e hap segmentin e lajmeve ndërkombëtare me një raport special për Kosovën me titull "Kryeministri, krimet e luftës dhe akuzat për tregti të paligjshme organesh". The Guardian shkruan se i ka rënë në dorë raporti i përgatitur për Këshillin e Europës e që mbështetet në një hetim dyvjeçar, ku citohen burime të FBI-së dhe agjencive të tjera të zbulimit.
Në raport përmendet me emër zoti Thaçi për ushtrimin e një, citon gazeta, 'kontrolli të dhunshëm' në tregtinë e heroinës gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Edhe figura të tjera nga rrethi i ngushtë i zotit Thaçi akuzohen për dërgimin e pengjeve përtej kufirit në Shqipëri pas luftës, ku thuhet se disa serbë janë vrarë për t'u marrë veshkat, të cilat më tej janë shitur në tregun e zi. The Guardian shkruan se reporteri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, Dick Marty, personi i lidhur me hetimin në fjalë, do t'ua paraqesë raportin e tij diplomatëve europianë nga 47 vende pjesëtare të enjten në Paris. Raporti i tij sugjeron se lidhjet e Thaçit me krimin e organizuar nisin para mëse një dekade, kur besnikët e grupit të tij të Drenicës dominuan UÇK-në dhe vunë nën kontroll "shumicën e sipërmarrjeve të paligjshme kriminale", me përfshirje të kosovarëve në jug të kufirit, në Shqipëri. Në raportin e tij, senatori zviceran, Dick Marty, ndërsa kritikon masakrat serbe gjatë luftës në Kosovë, thotë se komuniteti ndërkombëtar përzgjodhi të injorojë dyshimet për krime lufte të UÇK-së. Ai thotë se gjatë luftës dhe një vit më pas, Thaçi dhe katër pjesëtarë të tjerë të grupit të Drenicës kryen "vrasje, burgime, rrahje dhe marrje në pyetje." Gazeta The Guardian e citon reporterin Marty të ketë thënë: "Thaçi dhe këta pjesëtarë të tjerë të grupit të Drenicës përmenden vazhdimisht si 'lojtarë kyç' në raportet e [agjencive të] zbulimit për strukturat e stilit mafioz të krimit të organizuar në Kosovë. Unë i kam egzaminuar këto raporte të ndryshme e voluminoze, i tmerruar dhe i indinjuar", citon gazeta The Guardian reporterin e Këshillit të Europës, Dick Marty.
Pretendimet për trafikim organesh, shkruan gazeta, dolën në dritë, para dy vjetësh, kur ish-kryeprokurorja e Hagës për krimet e Luftës, Carla Del Ponte, tha se ishte penguar nga hetimi i duhur i krimeve të kryera nga UÇK-ja. Raporti i senatorit Marty, përcakton se nuk është në vetvete hetim i natyrës së hetuesisë dhe nuk është në gjendje të gjykojë për fajësi apo pafajsi. E përditshmja tjetër britanike, The Times e hap faqen e zhvillimeve ndërkombëtare me një foto të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe pasazhe nga 'raporti shkatërrues' i Këshillit të Europës, sipas gazetës, ku zoti Thaçi përmendet si 'bosi' i një rrjeti të gjerë kriminal të drogës, vrasjeve dhe trafikimit të organeve. Hashim Thaçi që u rizgjodh të dielën në shtetin e ri, përshkruhej si 'më i rrezikshmi' i figurave drejtuese mafioze që dolën ngaq ish-UÇK-ja para një dekade.
Raporti thotë se Perëndimi ishte i vetëdijshëm për krimet e zotit Thaçi dhe prapë zgjodhi ta mbështesë ngritjen e tij në pushtet. Kosova shpalli pavarësinë gati tri vjet më parë dhe raporti duket se do të shkaktojë një krizë politike pikërisht në kohën kur vendi shpresonte të fitonte besimin ndërkombëtar, përmes organizmit vetë të zgjedhjeve të para, vëren The Times. Senatori Marty në raportin që pritet të debatohet të enjten në Këshillin e Europës, thotë se grupi i Drenicës kishte lidhje me tregtinë makabre të organeve, por nuk flet për përfshirje të drejtpërdrejtë të kreut të grupit, zotit Thaçi. Dick Marty, reporter i komisionit të Këshillit të Europës për çështjet ligjore dhe të drejtat e njeriut u referohet të dhënave të agjencive të zbulimit në pesë vende të ndryshme.
The Times përcjell në fund edhe reagimin e qeverisë së Kosovës, ku raporti hidhet poshtë si i pabazë. Gazeta citon deklaratën zyrtare të qeverisë së Kosovës, ku shkuhet se "Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi do të ndërmarrin të gjithë hapat dhe masat e nevojshme, përfshirë edhe ato ligjore e politike, për të hedhur poshtë shpifjet e Dick Marty-t". The Independent shkruan se 'qeveria e Kosovës pretendon se është viktimë e një fushate shpifjesh pas daljes së raportit që e lidh kryeministrin e parë të zgjedhur të vendit me një rrjet kriminal që për një dekadë është marrë me trafik armësh, droge dhe organesh njerëzore'.
Gazeta shënon se akuzat dolën ditën kur një ish-zyrtar i lartë i ministrisë së shëndetësisë në Kosovë dhe gjashtë persona të tjerë dolën në gjyq të akuzuar për përfshirje në një rrjet trafiku organesh. Këtë lajm përcjell edhe e përditshmja The Daily Telegraph, nën titullin "Banda kosovare tregtonte organe që u ishin marrë të varfërve." Të akuzuarit u premtonin personave të varfër në Moldavi, Kazakistan, Rusi e Turqi deri në 14 mijë e 500 euro për organet e tyre të cilat më tej shiteshin në Kanada, Gjermani, Poloni e Izrael deri ne 80 mijë apo 100 mijë euro. Të shtatë të akuzuarit kanë thënë se nuk janë fajtorë. The Daily Telegraf thotë se ky gjykim përkon me daljen e një projekt- raporti nga një hetim i Këshillit të Europës, ku kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi akuzohet si kreu i një rrjeti të krimit të organizuar në vitet 90-të që ishte implikuar në trafikim, vrasje dhe krime të tjera.
Zyra e zotit Thaçi, shkruan The Daily Telegraph, e ka quajtur raportin "të pabazë dhe shpifës".
Referenca
redakto- "BBC-Albania.co.uk" — 15.12.2010