Rama: Projektet për Kombinatin i mban peng Iliri e Saliu
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka prezantuar sot në zonën e Kombinatit në kryeqytet kandidatin e PS dhe Alenancës për të Ardhmen për zgjedhjet e 8 Majit. Rama deklaroi se kombinatasit duhet të votojnë kandidatin e PS per njesine nr.6 Krenar Cenollarin, për të mos ngelur më peng i Ilirit dhe Saliut.
“Ne e rikthyem në jetë Kombinatin, pa jetë, e përzumë renë e tymit nga Kombinati. 4 vjet më parë unë erdha këtu në Kombinat për të kërkuar votën. Në 8 maj kryetari i kësaj njësie do jetë Krenar Cenollari sepse Kombinati nuk mund të jetë një pjesë e stërgjatur e kusarisë së Ilirit dhe Saliut”,- tha Rama.
Janë pikërisht Iliri dhe Saliu, sic tha Rama që mbajnë peng linjën e re të autobusëve Kombinat-Kinostudio. “I shoh me pezmatim autobusët e Kombinatit që kanë mbetur pas në standarte. Cdo banor i Kombinatit ka edhe një arsye më shumë për të na votuar, linjën e re të autobusëve që ne do ta vendosim me të na dhënë ju shumicën qeverisëse. Linja e autobusëve mbahet peng nga Saliu e Iliri, por pas 8 majit, ne do ta vendosim”,- deklaroi Rama.
Përpara qytetarëve të Kombinatit, Rama kërkoi t’i jepet fund regjimit të Berishës që sipas tij vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë. Kryebashkiaku shtoi se Saliu vazhdon të vjedhë xhepat e shqiptarëve edhe me fushatën që e vuri në dietë.
“Qytetarëve u shiti llumin për naftë, u shkatërroi makinat e mushkëritë, ndërkohë pasi shpalli një fushatë në dietë fluturon qytet më qytet me helikopter me qera, për të përfitur nga rrogat e njerëzve të thjeshtë. Shqipëria me 1 milion të papunë dhe Saliu thotë po habitet bota me ekonominë tonë”,- nënvizoi kryesocialisti.
Lideri i opozitës tha ndër të tjera se Tirana nuk ka më kohë e betejë për të humbur prandaj "në 8 maj qytetarët do t`i japin përgjigjen e merituar këtij pushteti kusarësh”.
Burimet
redakto- "Rama: Projektet për Kombinatin i mban peng Iliri e Saliu" — BalkanWeb, 10. Prill 2011