Përmirësohet moti, gjendja ende kritike
Kushtet atmosferike në Shkodër janë përmirësuar sërish gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të ditës së hënë.
Por, kjo nuk mund të thuhet për situatën në zonat e përmbytura, pasi uji vijon të jetë i pranishëm, edhe pse nuk ka shënuar rritje të nivelit. Burime nga Shtabi i Emergjencave pranë Komitetit Ndërministror, që ndjek nga afër situatën, bënë të ditur se disa lagje vazhdojnë të jenë të përmbytura dhe në to mund të hyhet vetëm me mjete lundruese. E njëjta situatë është dhe në komunat Ana e Malit, Velipojë e Dajç. Zëdhënësi i Komitetit Ndërministror, Leonard Olli, i tha BBC-së se “ Po vijojnë operacionet në terren nga toka dhe ajri për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar. Edhe argjinaturat e rrezikuara janë përforcuar, ndërkohë që popullatës i janë siguruar uji i pijshëm, ushqimet, ndihma shëndetësore dhe energjia elektrike, duke përjashtuar rastet kur kabinat janë të përmbytura dhe përbëjnë rrezik për jetën e njerëzve".
Sipas zotit Olli “vazhdon dhe ndihma me mjete teknike dhe ajo humanitare dhe nga jashtë vendit”. Vëmendja e autoriteteve është përqëndruar dhe tek disiplinimi i shkarkimeve nga kaskada e Drinit. Nga të dhënat e Shtabit të Emergjencave civile në Shkodër mësohet se janë afro 12 mijë persona të evakuar nga 2800 familje. Të përmbytura janë 2600 banesa, ndërkohë që 4600 të tjera janë të rrethuara nga ujërat. Sipërfaqja e përmbytur arrin në 14 mijë ha tokë.
Për një përmirësim të situatës ka njoftuar dhe prefektura e Lezhës, një rajon më pak i prekur nga përmbytjet. Banorët e Fushë Krujës, një tjetër rajon i përmbytur, kanë paralajmëruar protesta për të kërkuar dëmshpërblimet nga përmbytjet e shkaktuara katër ditë më parë.
Referenca
redakto- Lajmet.com (07.12.2010)