Statusi: E mbaruar 17:35, 10 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Në kryeqytetin e Norvegjisë Oslo në këto momente nderohet në mungesë me çmimin Nobel të paqes aktivisti kinez për të drejtat e njeriut, Liu Xiaobo.

Mungesa e 54-vjeçarit simbolizohet në ceremoni me një karrige bosh. Autoritetet kineze penguan ardhjen në këtë ceremoni edhe të bashkëshortes së tij Lia Xia dhe kritikëve të tjerë të regjimit. Për herë të parë që prej periudhës naziste tani sërish çmimi nuk merret personalisht nga laureati dhe as nga të afërmit e tij. Qeveria komuniste në Pekin e konsideron Liu-n kriminel dhe ka nisur një fushatë kundër nderimit të tij me çmimin Nobel. Si koautor i manifestit demokratik "Charta 08", Liu numërohet si një ndër disidentët më të njohur në Kinë.

Serbia ndryshon qendrim pas trysnisë nga BE dhe aktivistët Pas një kritike të ashpër nga ana e BE-së dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut, Serbia e ka tërhequr vendimin për të bojkotuar ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel në Oslo. Qeveria deklaroi këtë të premte, se do të dërgojë në ceremoni ombudspersonin Sasha Jankoviq. Ky hap ndodh si "reagim ndaj pritjeve" të opinionit publik serb. Më parë Serbia kishte deklaruar, se do ta refuzonte ftesën për pjesëmarrje në ceremoninë e dhënies të çmimit Nobel për disidentin kinez Liu Xiaobo, për të mos rrezikuar marrëdhëniet e mira me Kinën. Zyrtarët e BE-së kritikuan vendimin dhe shprehën tronditjen, që Serbia si kandidat për pranim në BE, do t'i nënshtrohej kërkesave të Pekinit. 17 vende të tjera, ndër ta Rusia dhe Pakistani, deklaruan se do të bojkotojnë ceremoninë.

Ndahen edhe çmimet e tjera Nobel Në kryeqytetin e Suedisë Stokolm u jepen sot gjithsej nëntë shkencëtarëve çmimet Nobel për mjekësi, fizikë, kimi dhe ekonomi. Përveç kësaj shkrimtari i lindur në Peru Mario Vargas Losa merr çmimin Nobel të letërsisë. Çmimet Nobel shoqërohen me rreth 1,1 milionë euro. Ata jepen që prej vitit 1901 me 10 dhjetor, ditën e vdekjes së themeluesit të fondacionit Alfred Nobel.

Burimet

redakto
  • Angelina Verbica. "Lajmet.com" —  10. Dhjetor 2010