Statusi: E mbaruar 16:15, 07 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Pretendentët për deputetë të Kuvendit të Kosovës i kanë xhepat plot me para. Qindra mijëra euro pasuri kanë deklaruar shumica prej tyre, një pjesë prej të cilëve si depozita në banka të ndryshme vendore dhe të huaja dhe një pjesë tjetër si pasuri e patundshme.

Në deklarimet e pasurisë në KQZ, 1266 kandidatët për deputetë kanë bërë publike pasurinë e tyre – kush më shumë e kush më pak, shkruan gazeta “Zëri”. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, rezulton të jetë i pasur, ndonëse ka shumë borxhe. Thaçi ka deklaruar para vjetore rreth 17 mijë euro prej rrogës që merr si kryeministër. Ai ka 172 mijë euro para të gatshme në bankën “NLB”, ndonëse ka pohuar se i ka rreth 100 mijë euro borxhe kredi në këtë bankë. Rreth 630 mijë ia ka dhënë vlerën shtëpisë së tij, tokës në Prishtinë e Skenderaj, në pronësi edhe me familjarët e tij. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, njëherësh sekretar i përgjithshëm i PDK-së, kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Ai ka deklaruar rreth 35 mijë euro të hyra vjetore nga rrogat si kryetar i Kuvendit dhe i ushtruesit të detyrës së presidentit. Ai i ka deklaruar 21 mijë euro në një bankë, ndërsa 85 mijë euro të tjera shkruan se i ka të të huazuara për djalin e vëllait. Po ashtu ai i ka dhënë 360 mijë euro vlerën shtëpisë e trojeve në Prishtinë dhe në vendlindjen e tij.

Në bazë të deklarimit zyrtar ministri i Transportit, Fatmir Limaj, numri katër në listën e PDK-së, ka rreth 16 mijë të hyrat vjetore nga rrogat si ministër dhe pagën sekondare si deputet. Shtatë mijë euro të deponuara në një bankë, ndërsa rreth një milion euro rezulton pasuria në makina, prona, shtëpi në Prishtinë e Malishevë bashkë me familjarët e tij. Befasia e kësaj liste, është i sapopromovuari në PDK, Berat Buzhala. Ai i ke deklaruar rreth 310 mijë euro para të gatshme në dy banka në Kosovë dhe Slloveni. Shtëpinë në Veternik të Prishtinës e ka vlerësuar me 350 mijë euro, ndërsa me 370 mijë të tjera edhe shtëpitë në fshatin e tij në Klinë.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar rreth 26 mijë euro të hyra vjetore nga rrogat që merr. 40 mijë euro para të gatshme në banka, rreth 640 mijë euro vlera e shtëpisë dhe tokës dhe 55 mijë euro të tjera nga pronësitë në aksione. Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, padyshim është kandidati ma i pasur në Kosovë. Ai ka deklaruar gjysmë milioni euro si fitime nga bizneset jashtë vetëm brenda një viti. 400 mijë euro para të gatshme në banka, rreth 35 milionë euro nga pronësia në kompanisë “Siguria” dhe “Banka Ekonomike”. Dhe vlera e shtëpisë e trojeve është 26 milionë euro. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka deklaruar rreth 10 mijë euro të hyra vjetore nga partia që e drejton, ndërsa në bankë rreth 11 mijë euro. Por, pasuria e tij kalon një milionëshin kur bëhet fjalë për pasurinë që vjen nga pronar në Prishtinë e Gllogjan dhe makinat. Udhëheqësi i listës “Dr. Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova i ka deklaruar rreth dy mijë euro të hyra dhe para të gatshme. Ndërsa pronat e patundshme i ka deklaruar në vlerë deri në dy milionë euro, kurse rreth 250 mijë euro borxh kredi që i ka ndaj një banke. Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci ka deklaruar rreth 30 mijë euro nga të hyrat vjetore. Rreth 40 mijë i ka në banka dhe 350 mijë euro e ka vlerësuar pasurinë e tij të patundshme.

Albin Kurti i ka deklaruar rreth dy mijë euro të hyra vjetore si kolumnist në gazetën “Zëri”. Rreth 70 mijë euro para të gatshme nga shitja e banesës para pak kohësh, ndërsa një shtëpi, pronë të familjes në Ulqin, e ka vlerësuar me 100 mijë euro. Dhe një veturë “Gol 2” me dy mijë euro. Ilir Deda rezulton me 24 mijë euro të hyra vjetore nga puna në KIPRED, para të gatshme në bankë rreth katër mijë euro, ndërsa 31 mijë në një bankë në SHBA. Shpend Ahmeti i ka deklaruar rreth 48 mijë euro të hyra vjetore nga puna në AUK dhe GAP.

Referenca

redakto