Maqedonasit shkruajnë, partitë shqiptare japin premtime boshe
Asnjëra prej partive shqiptare nuk ka publikuar dokument të shkruar që përmbanë projektet dhe planet se ;ka do të punojnë nëse fitojnë pushtetin. Ndryshe nga partitë maqedonase, të cilat i kanë shkruar në letër gjerë e gjatë se çfarë do të punojnë për katër vitet e ardhshme dhe të njëjtat i kanë bërë publike për opinioni, partitë shqiptare deri më tani japin premtime vetëm me fjalë. Të mësuar nga përvoja e kaluar kur si pjesë e Qeverisë nuk kanë arritur të realizojnë as 10 për qind të asaj që kanë premtuar para zgjedhjeve, partitë shqiptare kanë vendosur kësaj here premtimet t’i bëjnë publike vetëm qëndrime abstrakte, pa premtuar asgjë konkrete.
Edhe pse deri tani opinioni nuk ka pasur rastin të shohë platformat e tyre, partitë shqiptare thonë se i posedojnë.
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka publikuar vetëm platformën në 10 faqe, ndërsa detajet se çfarë dhe si do të punojë për katër vjet nuk i bën publike. Zëdhënësi i kësaj partie, Agon Ferati thotë se PDSH ka një program të zgjeruar se çfarë do të realizojë për katër vjet, por atë nuk e bën publik për opinionin. “I rëndësishëm është procesi i vendim marrjes, pastaj vijnë të tjerat. Kemi një program të detajuar se çfarë do të realizojmë, por atë nuk e bëjmë publik. Së pari të pranohet platforma”, thotë ai për “Lajm”. Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka përgatitur një material të zgjeruar të cilit i ka vënë titullin “Drejt qëllimit”.
Megjithatë ky material akoma nuk gjendet në ueb faqen e kësaj partie. Përfaqësuesi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Muhamet Hoxha thotë se programi katër vjeçar i BDI-së i titulluar “Drejt Qëllimit” është botuar në tre gjuhë, shqip anglisht dhe maqedonisht dhe i njëjti është shpërndarë që në ditën e parë të fushatës. “’Drejt qëllimit’ përmban detaje se çfarë dhe si do të punojmë për katër vjet. Ky material voluminoz është shpërndarë ditën që mbajtëm konventën e partisë, ndërsa të enjten pasdite do të jetë edhe në ueb faqen e partisë”, thotë ai.
Burimet
redakto- "Maqedonasit shkruajnë, partitë shqiptare japin premtime boshe" — ShqipMedia, 20. Maj 2011