Lushnje, opozita vijon protestat. Rama: Beteja jonë, e pandalshme
Opozita vijon protestat kundër qeverisë. Me sloganin “Saliu dështoi, transparencë” Opozita e Bashkuar u ndal sot në qytetin e Lushnjës. Në këtë protestë ishin të pranishëm kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu i PLD-së Spartak Ngjela si dhe deputetë të tjerë socialistë të rrethit të Lushnjës.
Gjatë fjalës së tij përpara të pranishmëve, kreu socialist Edi Rama nënvizoi bindjen e opozitës për të vazhduar betejën, për atë që socialistët e quajnë “Luftë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, varfërisë dhe krizës totale”.
“Berisha dështoi, duhet të largohet. Fëmijët tanë s’meritojnë këtë vend. Beteja jonë është e pandalshme.” theksoi Rama.
Ndërsa përmendi problemet thelbësore me të cilat, sipas tij po përballen sot shqiptarët, kryesocialisti u shpreh se “kryeministri ka marrë peng demokracinë dhe po mbyt ekonominë e vendit”.
Opozita rinisi protestat nga Elbasani në 26 nëntor ndërsa sot u ndal në Lushnje. Më pas, sipas një përcaktimi ende të pazyrtarizuar, do të jetë fundjavën që vjen Pogradeci që do të presë Opozitën e Bashkuar. Në datën 6 dhjetor është menduar një tubim në Durrës, ndërsa në 21 dhjetor, në Fier.
Deri në fund të këtij muaji mësohet se do të zhvillohen protesta pothuaj në të gjitha qytetet kryesore të vendit, por ende nuk janë fiksuar datat konkrete. Ndërsa për sa i përket Tiranës, data e protestës do të diskutohet në ditët në vijim, ose mund të mbetet për në muajin janar, pas Vitit të Ri.
Moti i keq duket se nuk po i favorizon opozitarët, të cilët deri më tani pritën një reagim nga kryeministri Berisha për ofertën e re të Ramës për zgjidhjen e krizës. PS hoqi dorë nga kërkesa për hetimin e fletëve të votimit duke e mbështetur kërkesën për transparencë vetëm në hetimin e materialeve zgjedhore. Kryeministri kërkoi nga opozita që të dorëzojë në Kuvend propozimin, në mënyrë që ta shqyrtojë atë në rrugë zyrtare.
Burimet
redaktoBalkanWeb.com (30.11.2010)