Libi - Roma: Armatosja e rebelëve masë ekstreme
Armatosja e rebelëve libianë do të ishte një masë ekstreme dhe që mund të çonte në përçarjen e komunitetit ndërkombëtar, u shpreh sot në Romë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme italiane, Maurizio Massari.
"Armatosja e rebelëve do të ishte një masë e polemizuar, një masë ekstreme që do të përçante me siguri komunitetin ndërkombëtar", deklaroi Massari në Radioanch'io.
Çështja e armatimit të rebelëve për ta detyruar liderin libian Muamar Kadafi të largohet, u trajtua dje në Londër gjatë mbledhjes së grupit të kontaktit për Libinë.
Franca u shpreh e gatshme, nëpërmjet ministrit të saj të Jashtëm, Alain Juppé, të diskutojë me aleatët e saj për një ndihmë ushtarake për rebelët, duke pranuar në të njëjtën kohë se kjo nuk ishte parashikuar në rezolutat e fundit të OKB-së. I pyetur për këtë çështje në NBC, presidenti amerikan Barack Obama u përgjigj: "Nuk e përjashtoj. Por nuk them as se kjo do të bëhet".
Shefi i diplomacisë italiane, Franco Frattini, bëri të ditur se në konferencën e Londrës është arritur një konsensus për thënë se "Kadafi duhet të largohet nga vendi".
Shih dhe këtë
redakto- Libi - Roma: Armatosja e rebelëve masë ekstreme (30.03.2011)
Burimet
redakto- "Libi - Roma: Armatosja e rebelëve masë ekstreme" — Radio Televizioni Shqiptar, 30. Mars 2011