Statusi: E mbaruar 17:43, 11 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Qeveria e Maqedonisë ende nuk ka marrë vendim nëse do ta ndihmojë Shqipërinë, gjegjësisht zonat e kapluara nga përmbytjet. Edhe pse tani dy javë rresht po mbretëron gjendje emergjente në Shkodër dhe zonat për rreth, Qeveria e Maqedonisë akoma nuk ka debatuar nëse do të dërgohen ndihma atje.

“Ende nuk është marrë vendim se a do të dërgojmë ndihmë në zonat e përmbytura të Shqipërisë, por jemi në kontakt e sipër me Qeverinë e Shqipërisë dhe nëse shfaqet nevoja ne do të sigurojmë ndihmë, sikurse siguruam edhe herën e kaluar”, thonë në Qeveri. Qeveria e Maqedonisë ishte shumë më ekspeditive para një muaji, kur me urgjencë ndau 50.000 euro ndihmë për qytetin serb Kralevë, të goditur nga tërmeti.

Ndërkaq Organizata Humanitare (OH) “El Hilal”, vëzhgon gjendjen e përmbytjeve në Shqipëri, për të krijuar pasqyrë se për çfarë lloj ndihmash kanë nevojë banorët e zonave të përmbytura. Kryetari i kësaj organizate, Behixhudin Shehapi bën të ditur se përfaqësues të degës së kësaj organizate në qytetin e Strugës dhe të Dibrës, tani më kanë shkuar në Shkodër për të parë nga afër se për çka kanë nevojë më së shumti banorët e kësaj zone. “Gjatë mbledhjes së fundit të organizatës, e cila u mbajt gjatë ditës së mërkurë, është biseduar për ndihmat që do t’i dërgojmë në Shqipëri. Jemi në pritje të përfaqësuesve tanë të kthehen nga Shkodra dhe të sjellin raport se për çfarë lloj ndihmash kanë nevojë banorët e zonës së përmbytur”, tha Shehapi.

Ai shtoi se nëse këto degë nuk munden ti mbulojnë sasitë e ndihmave atëherë do të ndërmerret një aksion republikan me anë të të cilit do të mblidhen ndihmat për zonat e përmbytura në Shqipëri. “Pas sjelljes së raportit të përfaqësuesve tanë, nëse degët në Strugë dhe Dibër nuk munden që t’i mbulojnë ndihmat që nevojiten në ato zona, atëherë ne do të organizojmë aksion republikan në të cilin do të përfshihen të gjitha degët e OH El Hilal dhe do të mbledhim sasinë e duhur të produkteve ushqimore dhe elementeve tjera të cilat nevojiten për banorët e atyre zonave”, theksoi Shehapi. Gjithashtu kjo organizatë i doli në ndihmë qytetarëve të Shkodrës edhe gjatë përmbytjeve të vitit të kaluar, me ç’rast dërgoni një sasi të konsiderueshme të ndihmave për banorët e kësaj zone.

Burimet

redakto