Kosovë - Pacolli: 24 Mars, ditë historike në Rrugën e Lirisë

Statusi: E mbaruar 24 Mars 2011 17:29 (CET)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake dhe policore serbe, dymbëdhjetë vjet më parë, ishte ngjarje e madhe historike, që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, deklaroi dje Presidenti kosovar Behgjet Pacolli. "Fushata e bombardimeve të NATO-s, që filloi më 24 mars 1999, ishte një akt i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe mesazh i qartë i botës demokratike dërguar regjimit të Millosheviqit, se bota e civilizuar ishte e përcaktuar që me çdo kusht t'i jepej fund krimeve të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë anekënd Kosovës", tha ai. Kjo fushatë, shtoi presidenti kosovar, simbolizon sukses të madh edhe për vetë NATO-n, meqenëse ka dhënë një ndër provimet më të rënda gjatë historisë së ekzistencës së saj.

Behgjet Pacolli

"Në këtë ditë, ne qytetarët e Kosovës me dhimbje kujtojmë të gjitha viktimat civile që e pësuan si pasojë e fushatës së terrorit të egër të Millosheviçit dhe bashkëndjejmë me vuajtjet e familjareve që ende sot e kësaj dite kërkojnë të zhdukurit e më të dashurit e tyre", tha Pacolli. Në vijim, ai tha se me gjithë dhimbjet e mëdha që lufta i shkaktoi Kosovës, kjo ditë simbolizon kthesën e madhe për vendin tonë drejt rrugës së paqes dhe prosperitetit. "Realiteti i sotshëm në Kosovë i jep legjitimitet dhe të drejtë absolute vendimit ndërkombëtar për sulme ajrore kundër Serbisë më 1999. Sot, Kosova e pavarur është në rrugë të duhur të forcimit të shtetësisë së saj, duke ndërtuar institucione kredibile mbi një platformë dhe vizion të qartë politik, i cili garanton zhvillimin e një shoqërie demokratike", tha Presidenti Pacolli.

"Ndërtimi i një shoqërie me vlera demokratike që reflekton stabilitet politik në tërë rajonin është falënderimi i ynë më i madh për SHBA-në, për shtetet e BE-së dhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë, të cilët përkrahën Kosovën në rrugën e saj të vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë", theksoi Presidenti Pacolli.

Burimet redakto