Kosovë: Nuk dihen zhvillimet pas vendimit të kushtetueses për rastin Pacolli
Nuk dihet ende zhvillimet e procedurat e mëtejshme, disa orë pasi Gjykata Kushtetuese shpalli se kishte konstatuar se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, "është jo kushtetues pasi është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty".
Por, një nga mundësitë mund të jetë që zgjedhja e Behgjet Pacollit president mund të kthehet në rivotim në Kuvendin e Kosovës. Media permend sonte një deklaratë të mëparshme të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, se nëse vërtetohet shkelja, Pacolli nuk duhet gjithësesi të japë dorëheqje, por procedura mund të kthehet nga pika zero, që do të thotë se ai do t'i kthehet garës në Kuvend.
Behgjet Pacolli u zgjodh president më 22 shkurt me 62 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit 120 anëtarësh, në raundin e tretë të votimit, i cili u mbajt edhe pse nuk kishte më shumë se një kandidat, dhe pas dështimit që të zgjidhej në raundin e parë e të dytë, në të cilat fitoi 54 e 58 vota, kur duhej t'i kishte së paku 80 në votimin e fshehtë, derisa në sallë ishin 67 deputetë, pasi grupet parlamentare të partive opozitare u larguan.
Ende nuk ka ndonjë reagim apo prononcim nga Presidenca e Republikës së Kosovës. Para se te shpallej vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nga Presidenca ishte njoftuar axhenda për nesër e presidentit Pacolli, sipas së cilës ai gjatë pasditës do të qndrojë në Gjakovë për t'u takuar me përfaqësuesit e biznesit, e me pas me intelektualët. Por, pas zhvillimit më të ri që vjen nga Gjykata Kushtetuese, mund të ketë edhe ndryshim axhende.
Burimet
redakto- "Kosovë: Nuk dihen zhvillimet pas vendimit të kushtetueses për rastin Pacolli" — Radio Televizioni Shqiptar, 29. Mars 2011