Kosovë-Thaçi: Koalicioni Qeverisës do të vazhdojë axhendën shtetërore
Koalicioni qeverisës do të vazhdojë axhendën e vet shtetërore, tha kryeministri Hashim Thaçi sot, në mbledhjen e qeverisë lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës më 22 shkurt në Kuvend.
Thaçi paralajmëroi se "së shpejti do të ketë një zgjidhje kushtetuese për presidentin" dhe ftoi opozitën për bashkëpunim.
Po sot pasdite u është dërguar palëve vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e vlerëson si të pranueshme ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nënshkruesve të tjerë mbi mënyrën e zgjedhjes së presidentit Behgjet Pacolli, duke vlerësuar zgjedhjen e tij si jokushtetues.
"Në fazën e zhvillimeveve të reja për vendin, pas konsolidimit të institucioneve të Kosovës dhe institucioneve demokratike, Qeveria është aktive, nuk është indiferente ndaj këtyre zhvillimeve dhe është duke përcjellë me seriozitetin më të lartë, gjithmonë duke vënë interesin e vendit dhe qytetarëve në radhë të parë", tha Thaçi. "Qeveria e Kosovës respekton vendimet e pavarura të organeve të pavarura dhe në këtë drejtim do të sillemi konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese", tha kryeministri. Ai shtoi se "gëzon fakti që edhe institucionet e tjera, Kuvendi dhe Presidenca kanë shprehur gatishmërinë për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese".
"Me përgjegjësi të larta shtetërore, politike, por edhe si qytetarë të Republikës së Kosovës, do të angazhohemi për veprime të shpejta, konkrete dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet dhe normat demokratike të vendit tonë, në mënyrë që të vazhdojmë me zgjedhjen e duhur dhe të shpejtë të çështjeve", u shpreh Thaçi. Ai tha se "koalicioni qeverisës, me besimin e plotë të qytetarëve dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë do të gjejë zgjidhje të shpejtë kushtetuese në Kuvendin e Kosovës". Kryeministri Thaçi theksoi se beson në rolin pozitiv dhe aktiv edhe të opozitës, për ç'ka edhe i ka ftuar për pjesmarrje aktive në jetën demokratike të vendit.
Thaçi ka përkujtuar se nesër në Kuvend do të bëhet leximi i dytë i projektligjit për buxhetin 2011. "Dëshiroj të falënderoj secilin deputet veç e veç, por edhe komisionet përkatëse, për participim të shpejtë, aktiv dhe profesional në procedimin e këtij projektligji. E ritheksoj edhe njëherë me besim të plotë se ky projektbuxhet është buxhet i reformave demokratike, i Kosovës evropiane, zhvillimore dhe i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve", tha Thaçi. "Kosova gjendet gjithashtu përballë një procesi tjetër shumë të rëndësishëm, ai i regjistrimit të popullsisë", shtoi ai. Kryeministri falënderoi Komisionin Qendror të Regjistrimit për përgatitjet e mira, ministritë përkatëse, autoritetet komunale dhe lokale, shoqërinë civile, mediat për kontributin e tyre të dhënë në përgatitjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, i cili fillon të premten, më 1 prill.
Kosova gati për regjistrimin
redakto"Kosova është gati për regjistrimin e popullsisë pas 30 vjetësh. Në këtë rast, ftesa jonë është për pjesëmarrje të gjithë qytetarëve të vendit në regjistrim", tha kryeministri Thaçi. Qeveria ka miratuar projektligjet për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Akreditimet, Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe Ligjit për Tregtinë e Brendshme, Projektligji për Shërbimet e Sigurisë Private dhe Projektligji për Bashkëpunim Ndër-komunal dhe Partneritete.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria shqyrtoi Raportin vjetor financiar për vitin 2010, që është obligim i ministrisë së Financave sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike. Raporti shënon ngritjen dhe tejkalimin e të hyrave buxhetore për vitin 2010, ngritjen e investimeve kapitale si dhe ruajtjen e nivelit të shpenzimeve. Raporti pasi u miratua nga Qeveria, do të procedohet në Kuvend. Qeveria miratoi formimin e Bordit për Menaxhimin e Pyjeve dhe raportin e vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemit të financimit për komuna në vitin 2010.
Ministrja për Integrim Evropian, Vlora Çitaku e njohu kabinetin për punën në përgatitjen e imputeve të para të institucioneve kosovare për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Shih dhe këtë
redakto- Thaci: Rrezikojmë zgjedhje të jashtëzakonshme (01.04.2011)
Burimet
redakto- "Kosovë-Thaçi: Koalicioni Qeverisës do të vazhdojë axhendën shtetërore" — Radio Televizioni Shqiptar, 01. Prill 2011