Kosovë-Maqedoni marrëveshje për ekstradim e transferim
Ministrat e Drejtësisë të Kosovës dhe Maqedonisë, Hajredin Kuçi dhe Mihajllo Manevski sot nënshkruan marrëveshjet në sferën e jurisprudencës.
Dy ministrat kanë nënshkruar sot në Prishtinë tre marrëveshje për bashkëpunim në fushën e drejtësisë, për ekstradim dhe marrëveshjen për transferim të personave të burgosur.
Me këto marrëveshje, ministri Manevski theksoi se do të mundësohet forcimi i bashkëpunimit në fushat rreth ballafaqimit me krimin, do të forcohen kapacitetet e institucioneve për ballafaqim me këtë të keqe, dhe do të mundësohen procedura të shpejta dhe efikase gjyqësore, që kanë përpara këto dy vende.
Sipas tij, prioritet i dy vendeve por edhe rajonit është luftimi i krimit nëpërmjet rrugëve të nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe nga sfera penale.
Ministri Hajredin Kuçi shtoi se gjykatat dhe prokuroritë e dy vendeve do të shfrytëzojnë mundësinë që jepet nëpërmjet tri marrëveshjeve që sot janë nënshkruar. Sipas tij, Maqedonia dhe Kosova kanë aspirata të përbashkëta për anëtarësim në BE.
Ministri Manevski sot hodhi idenë për ngritjen e nismës për zbatimin e procedurës për arritjen e marrëveshje për ndihmë juridike ndërkombëtare në fushën civile.
Me këtë marrëveshje do të rregullohen materiet nga çështjet qytetare, familjare, tregtare, të punës dhe ato juridike. “Duke pasur parasysh se midis dy vendeve ekziston një komunikim i gjërë, dhe lidhjet familjare, pronësore, trashëgimore dhe konteste të tjera, me nënshkrimin e kodit civil për bashkëpunim do të realizohen më me efikasitet të drejtat qytetare”,- theksuan dy ministrat.
Burimet
redakto- "Kosovë-Maqedoni marrëveshje për ekstradim e transferim" — BalkanWeb, 08. Prill 2011