Këshilli i Evropës mision në Shqipëri për zgjedhjet
Një përfaqësi e Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale nga Këshillit i Evropës viziton Tiranën përpara mbajtjes së zgjedhjeve të 8 majit. I ashtuquajturi delegacion parazgjedhor përbëhet nga 3 vetë: francezi Michel Guegan, Mamuka Abuladze nga Gjeorgji dhe kryesohet nga kryetarja Hana Richtermocova, e cila vjen nga Republika Çeke.
Delegacioni do të takohet me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, kreun e KQZ-së, Arben Ristani dhe nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri. Lajmërohet se kjo përfaqësi do të bisedojë dhe me përfaqësues të ndryshëm të partive politike, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe medias.
Ky grup prej tre personash do të njihet më nga afër me problematikën zgjedhore në Shqipëri. Gjithashtu, ky delegacion mund të vendosë dhe se sa vëzhgues do të sjellin për të monitoruar zgjedhjet në Shqipëri.
Nga datat 4 deri në 10 maj, ky organ i Këshillit të Evropës do të sjellë në Shqipëri një delegacion të dytë për të vëzhguar zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Në përbërje të këtij delegacioni do të jenë edhe përfaqësues të Komitetit Evropian për Rajonet.
Burimet
redakto- "Këshilli i Evropës mision në Shqipëri për zgjedhjet" — Lajmet.com, 12. Prill 2011