Hetimi i zgjedhjeve Berisha: PS s'ka fakte Rama: S'do zgjidhje
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi sot projektvendimin e propozuar nga Partia Socialiste për ngritjen e Komisionit Hetimor të Zgjedhjeve, si të pa bazuar në ligj dhe në prova e fakte konkrete. Ne mbledhjen e grupit parlamentar te PD kreu i qeverise tha se rezoluta e socialisteve kërkon “hetimin e dyshimeve pa fakte” dhe kjo tha Berisha "është e papranueshme"
Duke komentuar debatin e sotëm në komisionin e Ligjeve, Berisha tha se "Në 8 nga 9 nenet e kërkesës së propozuar nga opozita, kërkohej hetimi i dyshimit, kur nuk kishte asnjë fakt ose provë". Sipas tij, "asnjë institucioni nuk i lejohet të hetojë dyshimet pa fakte dhe prova".
"Edi Rama nuk duhet të mendojë se do bëjë biznes me votën e shqiptarëve", tha Berisha, duke shtuar se kreu i PS-së po përpiqet të poshtërojë votën e shqiptarëve. "Në një betejë të egër për të dhunuar dhe poshtëruar votën e qytetarëve shqiptarë, Edi Rama vendosi dy ditë më parë që të tërhiqej nga komisioni hetimor parlamentar, ndaj dhe sot nga komisioni i ligjeve deputetët socialistë u tërhoqën dhe nuk pranuan të diskutojnë në përputhje me vendimin e marrë në unanimitet në mbledhjen e konferencës së kryetarëve", tha Berisha.
Ai ftoi opozitën që të përshtasë me ligjet e vendit, kërkesën e saj për hetimin e zgjedhjeve të 2009 dhe siguroi se maxhoranca do të jetë e gatshme të miratojë çdo kërkesë ligjore të Partisë Socialiste.
Kryeministri theksoi se kreu i opozitës udhëhiqet nga obsesioni dhe jo nga parimet e një shoqërie të lirë, ndaj i bëri thirrje grupit parlamentar të PS-së të shqyrtojë kërkesën e paraqitur në dritën e Kushtetutës dhe siguroi se nuk do të ketë asnjë kufizim në kërkesën e tyre.
Sa i përket procesit të liberalizimit kryeministri e quajti “kartolina më e bukur e Europës drejtuar Shqipërisë”. Berisha tha se “liberalizimi u prit me civilizim nga Shqiptarët dhe përsëriti akuzat se “bllokmenët e rinj se shpifën për eksodin”.
Rama:Berisha refuzon zgjidhjen se do te vjedhe prape zgjedhjet
redaktoPas rrëzimit në Komisionin e Ligjeve të kërkesës së opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 ka reaguar kryesocialisti Rama. Në një komunikim me mediat, Rama tha se Berisha refuzoi transparencën sepse kërkon të vjedhë edhe zgjedhjet e ardhshme.
“Është më se e qartë se Saliu nuk ka pranuar, as ato që ka pranuar deri sot, duke refuzuar atë c’ka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në rezolutën e PE, duke refuzuar atë cka është e shkruar në propozimin e opozitës për t’i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve duke garantuar transparencën dhe zgjidhur një krizë politike që sot Saliu ka dëshmuar se nuk do ta zgjidhë” u shpreh Rama.
Kryesocialisti tha se opozita nuk ka kërkuar më parë rinumërim të fletëve të votimit, por vetëm hetim të materialeve zgjedhore. Sipas Ramës, Berisha refuzoi edhe ato që ai vetë kishte kërkuar më parë.
“Asnjëherë nuk kemi dashur rinumërim, kur kemi folur për fletë votimi kemi folur për hetim të numërimit lidhur me materialet zgjedhore fillimisht. Kur kemi ofruar zgjidhjen duke lënë mënjanë fletët e votimit, kemi kërkuar hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, u refuzua gjithcka, madje edhe shumica dhe drejtimi i komisionit nga opozita.” theksoi Rama.
Kreu i opozitës akuzoi shefin e qeverisë për keqqeverisje, duke e lënë në baltë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Burimet
redakto- "Balkanweb.com" — 20. Dhjetor 2010