Greqi, gjenden shenja radioaktiviteti ardhur nga Japonia
Zbulohen elementë të radioaktivitetit në produktet e ardhura në Greqi nga Japonia. Për këtë arsye do të fillojnë kontrollet e rrepta në dogana, porte e aeroporte; rezultatet do dërgohen në laboratore, e më pas do monitorohen edhe zona të tjera të vendit. Megjithatë, shkencëtarët janë të përmbajtur në deklaratat e tyre për të mos shkaktuar alarm dhe panik.
Shqetësimi duket se ka filluar kur pas kontrollit në një nga aeroportet e Greqisë u konstatuan shenja të vogla radioaktiviteti që kanë mbërritur nëpërmjet sendeve të pasagjerëve grekë që ktheheshin nga Japonia. Menjëherë u kontrolluan 47 persona të tjerë, madje në 5 prej tyre kontrolli u përsërit, por fatmirësisht nuk u konstatuan shenja infektimi radiologjik në trupat e tyre.
Siç tha specialisti i institutit për studimet radiologjike Nikos Katsaros "në rrobat dhe bagazhet e njerëzve që vijnë nga Japonia, është gjetur pluhuri radioaktiv. Sipas tij, kjo nuk do të përbëjë problem për pasagjerët dhe do të eliminohet me një larje të kujdesshme të valixheve, këpucëve dhe rrobave.
Fakti që rrezatimi radioaktiv nuk u gjet në trupat e njerëzve është shumë inkurajues. Ata sigurojnë publikun se nivelet e radioaktivitetit në vend, janë të kontrolluara në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike përmes Rrjetit Kombëtar të Telemetrisë, i cili ka funksionuar që nga viti 2000.
Burimet
redakto- "Greqi, gjenden shenja radioaktiviteti ardhur nga Japonia" — Radio Televizioni Shqiptar, 24. Mars 2011