Gazetaria, nje profesion i rrezikshem
Këtë vit u vranë 105 gazetarë në 33 vende, kur po ushtronin profesionin e tyre. Kjo del nga një sondazh vjetor, të cilin e prezantoi të hënën (27.12.) në Gjenevë organizata e pavarur joqeveritare Press Emblem Campaign (PEC). Në krahasim me vitin 2009, kur e humbën jetën 122 gazetarë, shifra aktuale e viktimave që kanë humbur jetën shënon vërtet rënie, por ajo është shumë më e lartë se ajo e 91 viktimave të vitit 2008. Në vitin që po përfundon, Meksika dhe Pakistani, me 14 raste vrasjesh të përfaqësuesve të medieve ishin vendet më të rrezikshme të botës. Në Meksikë zien një luftë e përgjakshme antidrogë dhe në Pakistan, rajonet e paqeta kufitare me Afganistanin rezultuan si kurthe vdekjeprurëse. Nëntë gazetarë të vrarë pati në Honduras, tetë ishin që prej fillimit të 2010 në Irak, gjashtë në Filipine, pesë në Rusi dhe katër në Kolumbi.
Në Somali, Indonezi dhe në Nepal jetën e humbën në mënyrë të dhunshme në punë nga 3 gazetarë. Në përgjithësi, Amerika Latine konsiderohet këtë vit rajoni më i rrezikshëm për gazetarët; aty u vranë 35 gazetarë. Pason Azia me 33 përfaqësues të medias të vrarë para Afrikës me 14 gazetarë. Në Evropë u numëruan 12 viktima, si në Bullgari, në Qipro, në Greqi ose në Ukrainë.
Burimet
redakto- "www.RTSH.com - Radio Televizioni Shqiptar" — 29. Dhjetor 2010