Formula 1, Fetel fiton në Sepang, Alonso përplaset me Hamilton

Statusi: E mbaruar 10 Prill 2011 20:53 (CEST)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Sebastian Fetel fitoi garën e dytë radhazi në Formula 1, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Malajzisë. Piloti gjerman i Red Bull ka dominuar mbi cirkuitin e Sepangut, duke treguar se mbetet edhe për këtë sezon një favorit për fitimin e titullit kampion. Fetel la pas pilotin e MekLaren Xhenson Baton, ndërkohë që vendi i tretë i shkoi surprizës Nik Haidfeld. Gara në Malajzi ka dhuruar momente të shumta emocionuese, ndonëse dominimi i Fetel ka qenë i dukshëm.

Sebastian Fetel

Vendi i katërt i shkoi pilotit tjetër të Red Bull Mark Veber, ndërkohë që pas tij u rendit braziliani i Ferrarit Felipe Masa. Ky i fundit vuajti një gabim të mekanikëve në pit-stop, gjë që i kushtoi sekonda tepër të vlefshme në fund. Në këtë mënyrë, skuderia kokëkuqe ka dështuar edhe në këtë garë, ndonëse ishte shumë pranë arritjes së një vendi në podium. Fernando Alonso ishte në vendin e tretë deri në xhiron e 46-të, por një kontakt me Ljuis Hamilton në tentativë parakalimi, bëri që spanjolli të humbiste 3 pozicione.

Ai u penalizua me 20 sekonda, njësoj si Hamilton dhe në fund, mori vetëm vendin e gjashtë, duke lënë pas britanikun e MekLaren. “Mendoj se penalizimi është një gjë normale, pasi parashikohet nga rregullorja. Gjithsesi, me Hamilton ishte një betejë e bukur”, deklaroi pas garës Fernando Alonso, duke tentuar të mbyllë polemikat. Pas Çmimit të Madh të Malajzisë, kampionati i Formula 1 kryesohet nga Sebastian Fetel me 50 pikë, i ndjekur nga Xhenson Baton me 26 dhe Ljuis Hamilton me 24. Alonso ka vetëm 20 pikë.

Burimet

redakto