Energjia, kufizime për gjysmën e vendit

Statusi: E mbaruar 16:58, 6. Janar 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Viti i ri 2011 ka nisur sërish me probleme që lidhen me furnizimin e energjisë elektrike. Operatori i Sistemit të Transmetimit i ka bërë të ditur CEZ-it se do të stakojë linjat e tensionit 200 kilovoltë, e për pasojë, duke filluar nga dita e sotme pothuajse gjysma e vendit nuk do të ketë energji elektrike.

Për këtë arsye, sot dhe nesër, pra në datat 6 dhe 7 janar nga ora 05:00 deri 24:00 do të ketë kufizime të energjisë elektrike nga 100 megavat në orët e mëngjesit deri në 200 megavat në orët e pikut.

OST bën të ditur se gjatë ditës së sotme do të punojë në linjën 220kV Koman-Elbasan për të zëvendësuar shtyllën e tensionit të lartë të hedhur në erë (në Fushë Krujë) më datë 30 dhjetor 2010.

“Për shkak të punimeve që OST do të kryejë për zëvendësimin e shtyllës 220KV të dëmtuar, CEZ Shpërndarje është e detyruar të bëjë stakime të alternuara të fiderave në rajonet Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë”, thuhet në njoftimin zyrtar të CEZ Shpërndarjes. Mësohet se stakimet do të jenë të alternuara gjatë gjithë ditës.

Përveç këtyre kufizimeve të paralajmëruara zyrtarisht, konsumatorët shqiptarë përballen edhe me ndërprerjet e shpeshta të dritave në forma sporadike. Edhe pse sektori i shpërndarjes së energjisë është privatizuar prej gati dy vjetësh dhe ku mendohet të jenë investuar të paktën 60 milionë euro, sërish hasen probleme me pjesën e furnizimit.

“Rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike është tejet i amortizuar dhe rregullimi i tij kërkon kohë dhe plan masash investimi të sigurta. Të gjitha ndërprerjet e paplanifikuara të energjisë vijnë për shkak të rrjetit elektrik të amortizuar dhe nuk ka më kufizime pa shkak, pasi kompanisë nuk i intereson”, thanë për “Shqip” burime zyrtare të kompanisë. CEZ planifikon të investojë edhe rreth 40 milionë euro të tjera për vitin 2011, duke synuar rehabilitimin e rrjetit dhe ndërrimin e tij me linja të reja.

Lidhur me ankesat për furnizimin e energjisë, ato po trajtohen nga zyrat përkatëse, të kujdesit ndaj klientit, të ngritura nga CEZ në vendet kryesore të Shqipërisë. Çdo konsumator që pretendon se ka probleme me mbifaturimin mund t’i drejtohet CEZ-it, i cili, sipas kontratës së re, duhet ta zgjidhë çështjen brenda një muaji.

“Klientët kanë mundësi të informohen rreth të dhënave që kanë lidhje me konsumin, historikun e të dhënave të tyre, cilësinë e furnizimit me energji elektrike, dokumentacionin e duhur për lidhjet e kontratave, si dhe proceseve të tjera, mbyllje dhe riaktivizim të kontratave”, sqaron CEZ, duke bërë të ditur se po ndërmerren një sërë masash për zbutjen e ankesave.

Burimet

redakto