Dashamir Shehi refuzon ftesën e Ramës

Statusi: E mbaruar 18:11, 17 Nëntor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, refuzon ftesën e kreut të PS-së, Edi Rama, për t’iu bashkuar tryezës së opozitës së bashkuar.

Në një prononcim për “Shqip”, drejtuesi i një prej partive që në Rrethin e Tiranës ka një numër të konsiderueshëm votash, bën me dije se forca që ai drejton do të qëndrojë në opozitë me këtë qeveri, por në qendrën e djathtë.

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, thotë se “jam në opozitë me këtë qeveri, por do të qëndroj i djathtë”. I pyetur nëse do të marrë pjesë në tryezën e partive të bashkuar, kreu i LZHK-së rithekson idenë se forca që ai drejton është e qendrës së djathtë, pavarësisht se ka pakënaqësitë e saj ndaj kësaj qeverie.

Duket se kreu i LZHK-së do të presë për të dëgjuar ofertat jo vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta për t’u pozicionuar më pas në qëndrimin e tij se me cilën forcë politike do të bëjë aleancë në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011.

Deri tani janë dy ftesa për Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar. Kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi në një intervistë për “Shqip” disa muaj më parë, kërkoi afrimin e LZHK-së pranë Partisë Demokratike, ndërsa së fundmi në Asamblenë Kombëtare të PS-së, lidershipi i së majtës i bëri një ftesë publike, Dashamir Shehit, t’i afrohet tryezave të opozitës së bashkuar.

Duket se edhe përballë këtyre dy ftesave, kreu i LZHK-së pohon se do të qëndrojë i pavarur nga të dyja forcat, por gjithçka do të ngelet në dorë të negociatave deri në afrimin e datës 8 maj 2011 për krijimin e aleancave.

Vlejmë të theksojmë se kreu i LZHK-së, ishte kandidat për deputet në zonën 31 në Tiranë në vitin 2007 përballë kandidatit Edi Paloka. Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar krijoi aleancë me emra të distancuar nga Partia Demokratike, si ish-kryeministrin Aleksandër Meksi dhe ish-ministrin e qeverisë “Berisha”, Nard Ndoka. [1]

Burimet

redakto
  1. Top Channel (17.11.2010)