Botërori, FIFA përcakton Rusi 2018 e Katar 2022

Statusi: E mbaruar 20:02, 02 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Rusia do të organizojë Botërorin e vitit 2018 në futboll, ndërsa Katari atë të vitit 2022. Ka qenë ky vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, në mbledhjen e mbajtur në Zyrih. Rusia ka arritur të mundë në fazën finale Anglinë, si edhe kandidaturat dyshe Spanjë-Portugali dhe Belgjikë-Holandë. Vendimi i 22 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv është bërë i ditur nga presidenti Sep Blater, ndërkohë që në radhët e delegacionit rus të pranishëm në sallë ka nisur festa. “Do të bëjmë historinë së bashku, ju falënderoj të gjithëve dhe ju siguroj që nuk do të pendoheni”, deklaroi përfaqësuesi i qeverisë ruse Igor Shuvalov. Pas këtij lajmi mësohet se kryeministri rus Vladimir Putin do të jetë në Zyrih, ndërsa nuk e ka bërë këtë përpara vendimit të Komitetit, duke thënë se nuk donte të krijonte presion mbi anëtarët e tij.

Ndërkohë, festë edhe në radhët e delegacionit të Katarit, që i është besuar organizimi i Botërorit 2022. Është hera e parë që një Kupë Bote organizohet në Lindjen e Mesme, por përfaqësuesi i këtij vendi në Zyrih ka deklaruar se FIFA dhe e gjithë bota nuk do të zhgënjehet nga ky vendim. Katari arriti të triumfonte përpara kandidaturave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Australisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut. Vendimi i FIFA-s erdhi pas dy muajsh të mbushur me skandale, ku më i rëndi ishte ai i pezullimit të dy anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, sepse kishin kërkuar rryshfet për votën e tyre. Për këtë arsye, vendimi u mor nga 22 dhe jo nga 24 anëtarë që ka ky Komitet.

Referenca

redakto