Bosnja rrezikon skualifikimin nga UEFA shpreson Shqipëria
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka konfirmuar në mbledhjen e tij në Paris pezullmin për Federatën e Futbollit të Bosnjes në rast se deri në 1 prill të këtij viti nuk do të bëjë ndryshimet në statusin e federatës.
Në këtë mënyrë UEFA i ka dhënë sërish shpresa të mëdha kombëtares shqiptare, e cila gjendet në grupin D me Bosnjen, për eliminatoret e Evropianit 2012, që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë.
"Rikonfirmohet vendimi i mëparshëm për të pezulluar automatikisht Federatën e Futbollit të Bosnje – Hercegovinës nëse deri në 1 prill 2011 nuk do të bëhen ndryshimet statutore të kërkuara", thuhet në deklaratën për shtyp të qeverisë së futbollit evropian.
Bosnja, kundërshtare e Shqipërisë për Euro 2012, kërcënohet me pezullim nga eliminatoret, ndërsa klubet e saj rrezikojnë të mos marrin pjesë në asnjë kompeticion.
FIFA dhe UEFA duan që federata boshnjake të ndryshojë strukturën e saj. Nga një kryetar për çdo etni në vend, përkatësisht muslimanët, serbët dhe kroatët, duhet që federata të ketë një kryetar të përbashkët.
Me pezullimin e mundshëm të Bosnjes mund të konfigurohet dhe klasifikimi i grupit D të eliminatoreve të evropianit, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Për shkak se Bosnja nuk ka zhvilluar mbi 50% të ndeshjeve, çdo skuadër që luan ndaj ekipit të Edin Dzekos dhe Miralem Pjaniç do të humbë pikët e grumbulluara.
Në takimin e zhvilluar në muajin tetor Shqipëria barazoi me Bosnjen në “Qemal Stafa” me rezultatin 1-1. Bosnja aktualisht renditet e 4-ta në grupin D me 4 pikë pas 3 ndeshjesh, 1 pikë më pak se Shqipëria e vendit të 3-të, që ka zhvilluar një ndeshje më shumë.
Renditja aktuale e grupit D
redaktoNr. | Skuadra | Pikë |
---|---|---|
1 | Franca | 9 |
2 | Bjellorusia | 8 |
3 | Shqipëria | 5 |
4 | Bosnje | 4 |
5 | Rumania | 2 |
6 | Luksemburgu | 1 |
Burimet
redakto- "Bosnja rrezikon skualifikimin nga UEFA shpreson Shqipëria" — Balkanweb, 22. Mars 2011