Bosnja, Kuzhe bën gati skuadrën për të luajtur
Shqipëria ka nisur që tani përgatitjet për ndeshjen me Bosnje-Hercegovinën, në program më 7 qershor në Zenica. Edhe pse Federata Boshnjake është e pezulluar nga FIFA dhe UEFA, në FSHF besojnë se ky dënim do të hiqet përpara fillimit të ndeshjeve eliminatore të Euro 2012. Madje, nesër do të niset për në Zenica një grup zyrtarësh të FSHF, që do të bëjnë prenotimin e hotelit si edhe do të shohin për fushat e stërvitjes. "Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, por mendojmë se dënimi do të hiqet, - tha për gazetarët sekretari i përgjithshëm i Federatës Eduard Prodani. - Sido që të ndodhë, ne jemi duke u përgatitur për të luajtur.
Nuk duhet të kapemi në befasi, kështu që po bëjmë gati gjithçka sikur do të luajmë", shtoi ai. Por, një problem për kombëtaren në këto momente, mbetet fakti se shumë futbollistë janë në fund të kampionatit dhe Kuzhe i druhet shumë humbjes së formës. Për këtë arsye, ai pati kërkuar një ndeshje miqësore në fund të muajit maj. "Deri më tani nuk kemi gjetur një kundërshtar të vlefshëm dhe me shumë mundësi nuk do të luajmë. E dimë që ekziston rreziku i humbjes së formës", sqaroi sekretari i përgjithshëm i Federatës.
Burimet
redakto- "Bosnja, Kuzhe bën gati skuadrën për të luajtur" — BalkanWeb, 03. Maj 2011