Biblioteka e Shqiperise: Kanoset rreziku sllav

Statusi: E mbaruar 18:10, 05 Dhjetor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Biblioteka Kombëtare është ‘sulmuar’ të enjten në një konferencë në Akademinë e Shkencave nga dy shtetas të huaj, njëri drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë, Streten Ugreçiq dhe një tjetri slloven i quajtur Tomaz Seljak. Drejtori i Bibliotekës, Aurel Plasari përmes një letre të hapur i drejtohet kryeprokurores Ina Rama, kryeministrit Berisha dhe drejtuesit të SHISH-it Bahri Beci, duke informuar për përplasjen me institutin slloven “Informacijskih Znanost” dhe rreziqet që i kanosen Bibliotekës Kombëtare. Po botojmë më poshtë letrën e plotë të tij.

Më datë 2 dhjetor 2010, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është sulmuar publikisht në një mjedis publik, gjatë një mbledhjeje të organizuar në Tiranë, nga dy nënshtetas të huaj: një nënshtetas serb i quajtur Streten Ugreçiq, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë (Beograd), dhe një nënshtetas slloven, i quajtur Tomaz Seljak që paraqitet në Shqipëri me detyrën e drejtorit të një institucioni të quajtur “Institut Informacijskih Znanost”, Maribor (Slovenia). Ky sulm është realizuar pikërisht mbas përfundimit me sukses të edicionit V të konferencës kombëtare të Bibliotekonomisë mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, mbajtur në Tiranë nga 22 më 23 nëntor. Për më shumë përputhshmëri, po ashtu si BKSh-ja në të njëjtën mbledhje është sulmuar nga njëri prej dy nënshtetasve të huaj edhe BKU-ja e Kosovës.

Sulmi publik ka ardhur mbas orvatjesh shumëvjeçare të të quajtur “Institut Informacijskih Znanost”, për përfshirjen e Shqipërisë në një projekt (model organizativ të sistemit) të quajtur “Kooperativni online bibliografski system in servisi (COBISS)”, i themeluar në ish-Jugosllavinë në 1987. Seç përfaqëson sistemi në fjalë njoftohet në vetë faqen e tij promovuese: “Koncepti i sistemit COBISS është futur 20 vjet më parë. Në dhjetor të 1987, Shoqata e atëhershme e Bibliotekave Kombëtare të Jugosllavisë përshtati një sistem bashkëndarës katalogimi, si bazë të përbashkët për sistemin e informacionit bibliotekar kombëtar dhe sistemin e informacionit shkencor dhe teknik të Jugosllavisë. Roli i shërbimit të informacionit bibliografik, si dhe ai i zgjidhjeve organizative dhe zhvilluesit (krijuesit) të programeve (softeve) u morën përsipër nga Instituti i Shkencës dhe Informacionit (IZUM) nga Maribori, Sloveni. Falë mbështetjes së gjerë financiare të ministrisë së atëhershme federale të shkencës dhe teknologjisë, u krijua një rrjet kompjuterik bibliotekar, që në 1991, në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërlidhte 55 biblioteka nga të gjitha republikat dhe krahinat e saj autonome”.

Në mënyrë konkrete prej institucionit të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Bibliotekës Kombëtare i janë ushtruar presione për të nënshkruar marrëveshje që i bien ndesh legjislacionit të shtetit shqiptar: Ligjit nr. 8576, datë 03.02.2000 “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij: tekstin e ofruar për marrëveshje të tilla do ta gjeni në dokumentacionin bashkëngjitur.

Konstatoj gjithashtu që elementë klientelistë të këtij projekti i kanë dhënë këtij instituti mbështetje për të folur, shkruar dhe sulmuar publikisht institucionet kombëtare të shtetit shqiptar, siç është Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në 90-vjetorin e saj: identitetet e tyre do t’i gjeni në dokumentacionin bashkëngjitur këtij informacioni, ndërsa për shumat e konsiderueshme monetare të shpenzuara për këto ndërhyrje informacionet nuk rezultojnë transparente në publik. Edhe rasti më i fundit i një mbledhjeje të organizuar në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me një temë “Roli i bibliotekave në shoqërinë e informacionit bazuar në dije”, por që me zhvillimet e tij rezulton të këtë qenë promocion klientelist i institucioni të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Maribor (Slovenia), një orvatje të tillë klientelizmi përfaqëson. Prej kolegut tim drejtor i BKU-së të Kosovës jam njoftuar tanimë zyrtarisht se presione të ngjashme klienteliste janë ushtruar edhe ndaj atij institucioni. Ndiej detyrë të saktësoj se BKSh-ja nuk mund as të ndalojë dhe as të lejojë biblioteka cilado qofshin ato, të integrojnë ose të ç’integrojnë të dhënat e tyre në rrjete që i vlerësojnë me interes për to, sepse ndërhyrje të tilla nuk ia atribuon BKSh-së asnjë element në legjislacionin për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”, ndaj edhe i quaj destabilizuese ndërhyrjet e dy nënshtetasve të huaj për ta shpërfillur këtë legjislacion dhe për të ushtruar mbi BKSh-në presion publik për shkeljen e tij duke i sugjeruar legjislacionet e vendeve të tyre përkatëse: serb ose slloven.

Ndërkaq duhet t’iu informoj se BKSh-ja ka punuar dhe vijon të punojë në dy drejtime madhore në përkim me politikat integruese të shtetit shqiptar: drejt integrimit europian, përkatësisht në portalin e bibliotekave, muzeve dhe arkivave EUROPEANA, si pjesëtarë me partneritet të plotë, dhe në WORD DIGITAL LIBRARY, në të cilën BKSh-ja është ftuar tanimë si partnere prej vitit 2009, madje me rezultate të lakmueshme për mundësitë e saj modeste dhe vetëm falë punës tepër të lavdërueshme të specialistëve të saj. Nga ana tjetër, baza e të dhënave elektronike të BKSh-së është tanimë publike, online, dhe si e tillë ajo mund të shfrytëzohet nga çdo individ jashtë dhe brenda vendit, institut, rrjet ose “kooperativë” qoftë.

Këto rezultate janë në dije të përdoruesve shqiptarë e të huaj, si edhe të drejtuesve të shtetit shqiptar, personalisht të Kryeministrit të Shqipërisë, i cili ka vlerësuar për to specialistët e BKSh-së gjatë vizitave të tij më të fundit në institucion. Vetë si drejtues i institucionit kam marrë për punën time vlerësime kombëtare dhe ndërkombëtare, meritë e gjithë stafit që ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me mua, prandaj edhe sulmet e nënshtetasit serb dhe nënshtetasit slloven ndaj meje dhe institucionit që drejtoj jam i detyruar t’i shikoj me dyshim për synimet e tyre dhe si të tilla t’ia informoj institucionit tuaj. Me gjithë qëndrimin institucional të BKSh-së, që më rezulton korrekt, madje edhe i mirësjellshëm, me gjithë gatishmërinë e BKSh-së për të promovuar arritjet e sistemit bibliotekar slloven, në këtë kuadër edhe të programit të tij COBISS edhe në Shqipëri, madje edhe në mjediset tona në vitin 2002, i quajturi ‘Institut Informacijskih Znanost’ nëpërmjet drejtorit të tij ka vijuar veprimtarinë tanimë publike kundër BKSh-së me synim përfshirjen me çdo kusht, pra edhe të kundërligjshme të BKSh-së në sistemin “kooperativ” të ideuar prej tyre. Në mbrojtje të këtyre dy drejtime madhore integruese në përkim me politikat e shtetit shqiptar, sulmin publik të dy nënshtetasve të huaj e vështroj edhe si orvatje të vrazhdë për devijim nga këto politika. Përpjekje për t’i imponuar BKSh-së direktiva dhe “filozofi” të mbetura mbrapa dhe, si përfundim, për kthim në mbetjet e rrjeteve dhe gjysmërrjeteve të informacionit ish-jugosllav, sepse projekti i “Kooperativës” në fjalë nuk rezulton as – makar – nismë rajonale, sikurse rreket të paraqitet, duke qenë se në të nuk bëjnë pjesë as Kosova, as Kroacia, as Greqia, as Turqia, as Rumania.

Ndër rastet më të fundit, të papranueshme për BKSh si institucion kombëtar, është edhe orvatja flagrante për të vënë nën kontroll nga ana e të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Maribor letërkëmbimin e BKSh me disa biblioteka homologe (kryesisht të ish-Jugosllavisë) si të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Sllovenisë etj. Mbas sqarimit tim institucional për ta bërë me dije që BKSh-ja nuk mund të pranojë filtrimin apo tutorimin e letërkëmbimit të saj me homologët e vet nëpërmjet Institutit në fjalë ose cilitdo institut tjetër në botë, sulmet ndaj BKSh-ja u intensifikuan duke u bërë edhe më të hapura, si në këtë rast më të fundit.

Ju lutem të mbani shënim këtë njoftim timin, duke qenë se specialistët tuaj e dinë, ndoshta më mirë se unë se ku shpien në një shoqëri të lirë dhe me konkurrencë tregu klientela dhe klientelizmi që po ndërtojnë këta dy nënshtetas të huaj në Shqipëri duke shpenzuar fonde dhe para që i paraqesin si të tyret. Por që në të vërtetë rezultojnë fonde të BE-së për të mbështetur vende në zhvillim, përfshi edhe Shqipërinë, pra që nuk mund të shndërrohen në një aferë të dy individëve ose të një institucioni duke sugjeruar me shpërfillje deri edhe shkeljen në Shqipëri të legjislacionit në fuqi në emër të një kinse “filozofie të re”. Në mbështetje të gjithë sa ju informoj këtu, ju bashkëngjis edhe dokumentacionin përkatës në dispozicionin tonë, si edhe çdo informacion shtesë që do t’iu rezultojë i nevojshëm.

Mbetem me respekt ndaj jush si institucion në shërbim të shtetit shqiptar dhe, përkatësisht, edhe të kulturës tonë.

Referenca

redakto