Statusi: E mbaruar 19:55, 16 Nëntor 2010 (UTC)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se do t’i qëndrojë “besnik” marrëveshjes në mes Shqipërisë komuniste dhe ish-Jugosllavisë të vitit 1976 lidhur me ndërtimin e Hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri, i cili pas ndërtimit në vitin 1980 përmbyti qindra hektarë tokë të fshatrave Vërmicë, Shkozë, Dobrush, Vlashnjë, Kobaj dhe Gjonaj të Prizrenit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, përmbytja e tokave në territorin e Kosovës është kushtëzuar me ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit, ku Shqipëria do të pranonte kushtin për pakësimin e ujërave në lumin Luma, që buron nga malet e Sharrit pas ndërtimit të këtij hidrocentrali.

Në emisionin “LOG” të Televizionit Publik Shqiptar, kryeministri i Shqipërisë u është përgjigjur pyetjeve të një paneli gazetarësh të medieve të huaja, të akredituara në Tiranë, për mosmarrëveshjet që kanë lindur në mes Tiranës zyrtare dhe Prishtinës lidhur me ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit, i cili do të pakësonte ujërat e lumit Luma në zonën e Kukësit mbi rrjedhën e të cilit janë dhënë rreth 15 licenca për ndërtimin e hidrocentraleve. “Ka një marrëveshje në mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë të vitit 1976, e cila i jep të drejtë Kosovës të ndërtojë Hidrocentralin e Zhurit. Megjithëse kjo marrëveshje është nënshkruar në mes Shqipërisë komuniste dhe ish-Jugosllavisë, ne jemi të detyruar ta zbatojmë pasi ajo bënë fjalë për tokat e përmbytura në zonën e Prizrenit në Kosovë”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë, ministrja e Energjisë në Kosovë, Justina Pula-Shiroka, ka bërë publike emrat e tri kompanive që kanë shprehur interesin për ndërtimin e HEC-it të Zhurit, duke shprehur njëherësh vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e këtij hidrocentrali. Hidrocentrali i Zhurit në Kosovë do të marrë ujërat e lumenjve të Borjes, Orgjostit dhe Çajës.

Referenca

redakto