Berisha: Nder ngritja e flamurit shqiptar në Everest
Kryeministri Berisha vlerësoi sot nismën e një grupi alpinistësh shqiptarë për të ngritur flamurin shqiptar në majën më të lartë të botës, në Everest, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha pati sot një bisedë me anëtarë të Shoqatës Dajti Alpino-Turistik. Alpinistët vinin në këtë takim pas realizimit të një sërë ekspeditash të suksesshme, duke u ngjitur dhe ngritur flamurin shqiptar në Malin e Bardhë dhe Kilimanxharo. Ata e njohën Kryeministrin me projektin e tyre të ardhshëm, ngritjen e flamurit shqiptar në majën e malit më të lartë në botë, Everest, në nderim të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Kryeministri Berisha u shprehu admirimin për pasionin e tyre, alpinizmin dhe rezultatet e shkëlqyera që ata kanë arritur në aktivitetin e tyre. "E kam ndjekur me kënaqësi aktivitetin tuaj brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe ju garantoj se do të përpiqemi t’ju mbështesim në veprimtarinë tuaj. Potenciali i vendit në male është i jashtëzakonshëm dhe është për t’u zbuluar", u shpreh Kryeministri. Kryeministri Berisha i falënderoi në mënyrë të veçantë për projektin e tyre për t’u ngjitur në majën më të lartë të botës, për 100 vjetorin e pavarësisë dhe shprehu mbështetjen e qeverisë për këtë projekt. "Ky është një nder shumë i madh që ju i bëni vendit, kombit, flamurit dhe do të keni mbështetjen e plotë të qeverisë”, u shpreh Kryeministri.
Alpinistët falënderuan Kryeministrin për mbështetjen që u jep veprimtarisë së tyre. Gjatë kësaj bisede u shkëmbyen mendime mbi potencialet që ka Shqipëria për zhvillimin e turizmit malor dhe nxitjes së pasionit për sportet malore tek të rinjtë. Në fund të takimit, grupi i alpinistëve i dhuroi Kryeministrit një album fotografik nga ekspeditat e tyre.
Burimet
redakto- "Nder ngritja e flamurit shqiptar në Everest" — BalkanWeb, 15 Shkurt 2011