Albin Kurti synon bashkimin e kombit, referendumi fshin kufijtë
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albi Kurti, në një bisedë me KTV-në, në emisionin e popullarizuar “Rubikon” të Adriatik Kelmendit, ka ripërsëritur se kjo Lëvizje ka synim në programin e saj bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Por ka mohuar të ketë deklaruar se angazhohet për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, duke shtuar se Lëvizja angazhohet për bashkimin e kombit shqiptar.
Ndërkaq rreth burimeve financiare të Vetvendosjes Kurti pranon se Florin Krasniqi do ta ndihmojë fushatën zgjedhore, ndërsa anëtarësia është duke e ndihmuar shtrirjen e kësaj lëvizjeje nëpër Kosovë. Ai ka folur edhe për aktin e “shitjes së banesës së tij” duke mos e konsideruar këtë si një sakrificë. Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme dhe e hapur të takohet me cilindo përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë, ka thënë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti pas deklaratës së ambasadorit amerikan Christopher Dell se nuk do ta vizitojë këtë lëvizje. Vetëvendosja nuk është kundër ndërkombëtarëve, ka theksuar Kurti, por kërkojmë të jemi partnerë. Ndërkaq ka shtuar se dallimi ndërmjet tij dhe politikanëve të tjerë është se ai nuk është servil ndaj tyre. Musafiri i radhës në Rubikon nga Adriatik Kelmendi, ka komentuar një sërë çështjesh aktuale që nga institucionalizimi i Vetëvendosjes, shitja e banesës për ta mbështetur lëvizjen si dhe ka folur rreth preferencave për lidhje koalicioni, duke i përjashtuar kështu të gjitha subjektet politike që kanë marrë pjesë në qeverisjen e vendit që nga paslufta. I rebeluari që nuk pranonte të futej në mekanizmin politik të pasluftës, tashmë thotë ndryshe. “Mos hyrja në sistem po e linte jashtë Vetëvendosjen” arsyeton ai. Porse shton se nuk do të heqë dorë nga praktikat e deritanishme unike të Vetëvendosjes edhe pse “lëvizja e tij” tash e tutje do të figurojë në të njëjtën listë me partitë e tjera në vend. “Ne jemi të ndershëm”, thotë Kurti, duke shtuar se ideali dhe interesi i përgjithshëm e ndërlidhin Vetëvendosjen me politikën. Kurse rreth burimeve financiare të Vetvendosjes Kurti pranon se Florin Krasniqi do ta ndihmojë fushatën zgjedhore, ndërsa anëtarësia është duke e ndihmuar shtrirjen e kësaj lëvizjeje nëpër Kosovë, përfshirë këtu dhe aktin e “shitjes së banesës së tij”, duke mos e konsideruar këtë si një sakrificë.
Lëvizja Vetëvendosje është një ide përmes së cilës do të funksionojë e tëra, madje dhe për dy figurat e reja; Florin Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët me të aderuar në Vetëvendosje kanë pranuar sistemin dhe programin e kësaj lëvizjeje, ka thënë Kurti. Se sa kanë ndryshuar pikëpamjet e tij tashmë, pasi ka hyrë edhe zyrtarisht në politikë, Albin Kurti ndryshe nga partitë ithtare të Shqipërisë së Madhe, thotë se “ne nuk kemi thënë asnjëherë se angazhohemi për bashkimin e trojeve shqiptare. Lëvizja Vetëvendosje angazhohet për bashkimin e kombit shqiptar”, duke i parë rrugët e bashkëpunimit ekonomik e kulturor si hapa drejtë referendumit për shkrirjen e kufijve. “Lëvizja vetëvendosje e vë theksin tek e drejta e shtetit të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë. Më pas le të vendosin populli në Shqipëri dhe në Kosovë” ka thënë Kurti. Ai ka folur edhe për dy pikat kufitare në veri dhe strukturat paralele, duke premtuar se si kryeministër brenda një viti do ta shtrinte autoritetin e shtetit të Kosovës në atë pjesë. Kurti ka kritikuar edhe sistemin e pagave në vend dhe gjendjen sociale, duke përmendur bujqësinë si prioriteti i programit të Vetëvendosjes dhe duke mohuar ndonjë lidhje ndërmjet programit të tij dhe atij komunist.
Referenca
redakto- Lajmet.com (20.11.2010)