"Mosmarrëveshja" e Kadaresë promovim në Prishtinë
Libri "Mosmarrëveshja" është një testament për identitetin kulturor dhe historik të shqiptarëve në shumë shekuj në gjithë historinë tonë", u tha të premten me rastin e promovimit të librit "Mosmarrëveshja" të shkrimtarit Ismail Kadare, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
Promovimi i këtij libri të botuar nga shtëpia botuese "Onufri" nga Tirana, u organizua nga Pen Qendra e Kosovës në bashkëpunim me Pen Qendrën Nacionale të Shqipërisë. Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Basri Qapriqi tha se Kadare e nis librin e tij pikërisht me himnin kombëtar, i cili sipas tij, në intuitën e autorit ka paralajmëruar diçka që do të thotë se edhe autori i himnit ka paralajmëruar se nëse nuk luftojmë për Shqipërinë, atëherë ajo rrezikon të shuhet. Qapriqi tha në promovimin e librit "Mosmarrëveshja" se "Kadare e nis që me krijimin e himnit, ku me intuitën e tij gjen vargjet që paralajmëronin rrezikun që do të ketë ky komb në zhvillimet e mëvonshme historike". "Se Zoti vetë e tha me gojë se kombet shuhen përmbi dhe', por Shqipëria do të rrojë, për të, për të luftojmë ne". Kjo është faza e parë e mendimtarëve, intelektualëve shqiptarë, të cilët ai i emërton si "himnizues". "Rilindësit, ata që e donin shumë Shqipërinë, e donin kombin, gjuhën dhe e himnizonin atë. Po ata që krijuan himnin, dashur apo pa dashur, kishte hyrë ky varg që paralajmëronte në njëfarë mënyre se Shqipëria do të ketë një rrugë me shumë peripeci dhe ndoshta edhe kombi do të jetë në rrezik, sepse edhe kombet shuhen mbi dhe", - ka theksuar Qapriqi.
Drejtoresha e Pen Qendrës së Shqipërisë, Entela Kasi ka thënë se libri "Mosmarrëveshja" nuk është vetëm një sprovë letrare, por një testament mbi identitetin kulturor dhe letrar të tyre, dhe se libri sipas saj, ngre çështje të rëndësishme për shqiptarët, si universalizmi dhe identiteti i tyre evropian. Në këndvështrimin e Kasit, libri është testament për identitetin kulturor dhe historik të shqiptarëve.
Libri nis me sprovën "Rreth himnit të vjetër të shtetit" për të vazhduar më tej me "Enigma", "Mjegull, Prolog me djallin", "Dialog me Djallin dhe Zotin", "Pantomima e frikshme e Bronzit", "Gjergj K kundër Arbrit", "Intermexo me dy vrasje në sfond", "Lëngatë në gadishull", "Tri gjendje të Kastriotit", "Epilog me Zotin". "Mosmarrëveshja", për Ismail Kadarenë, "Si veteran i gjymtuar pas prerjes, që u përmend në krye të kësaj sprove, ai himn do të avitej me drojë te sheshi i kombeve, përballë himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiler-it për vëllazërimin e popujve, me tagrin për t'i dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë. Nëpërmjet tij, shqiptarët i kishin bërë një pyetje dhe një premtim Zotit, në të vërtetë ndërgjegjes së tyre, dhe kishin më shumë se një shekull që rrihnin të kapnin përgjigjen për të. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë...Se çfarë kishte thënë Zoti dhe si e kishin kuptuar ata, ky kishte qenë dhe ende mbetej thelbi i pazbërthyer i çështjes", - shkruan Kadare në një nga sprovat e këtij libri.
Burimet
redakto- ""Mosmarrëveshja" e Kadaresë promovim në Prishtinë" — BalkanWeb, 21. Mars 2011