Cana, "po" Tares, por janë 800 mijë euro që i ndajnë

Statusi: E mbaruar 8 Prill 2011 18:45 (CEST)
Ju lutem mos bëni asnjë ndryshim thelbësor. Keni ndonjë opinion për këtë lajm? Postojeni!


Lacio duket e fiksuar pas Lorik Canës, që duket se është kthyer në një nga objektivat primarë të klubit bardhekaltër në muajt e verës. Në shtypin e lidhur me klubin e kryeqytetit italian, blerja e mesfushorit kuqezi është një temë dite. Igli Tare është njeriu i ngarkuar nga Klaudio Lotito për të përfunduar tratativën, e cila do t'i përforconte bardhekaltërit me një mesfushor më "muskuloz" se ata që ka aktualisht në dispozicion Edi Reja.

Lorik Cana

"Ish-kapiteni i Shqipërisë ishte në fund të marsit në Zenica, për të ndjekur sfidën mes Bosnjes dhe Rumanisë, ndërkohë që në kthim qëndroi pak kohë në Tiranë, ku më 27 mars është takuar me Lorik Canën, - shkruan gazeta italiane La Repubblica. - Të dy janë miq, që në kohën kur Cana luante me Marsejën dhe Tare bleu për 20 mijë euro statujën e Asklepit për t'ia kthyer Shqipërisë", shkruan më tej kjo gazetë. Por, sipas "La Repubblica-s", Igli Tare i ka shkëputur një "Po" ish-shokut të tij në kombëtare. "Madje, - shkruan gazeta italiane, - ai e ka bindur që Cana të bëjë presion te drejtuesit e klubit për t'u shitur, pasi turqit e Gallatasarajit dëshirojnë të mbajnë".

"La Repubblica" bën të ditur se klubi i Stambollit ka refuzuar fillimisht 5 milionë të Lacios dhe 6 të Fulhamit, por tratativat do të zhvillohen më intensivisht me rihapjen e merkatos në verë. Përveç Lacios, në betejë për Canën janë edhe klube si Shtutgarti apo Aston Vila, por që gjithsesi nuk kanë qenë aq konkretë në ofertat e tyre te Gallatasaraji.

Problemet redakto

"Jemi duke u përpjekur të arrijmë një akord, por rruga mbetet ende e hapur për një ardhje të Lorik Canës te Lacio. Jam optimist se ky transferim do të realizohet", ka sqaruar Igli Tare për mediat italiane. Në fakt, Cana dëshiron të shkojë në "Olimpiko", në një klub të nivelit të lartë, por të paktën për momentin, ka lënë gjithçka të hapur. "Në verë do të shohim", është shprehur ai. E megjithatë, transferimi duket ende larg. Gjërat nuk lidhen aq shumë me klubin turk, sesa me vetë Lorik Canën.

Kalimi në Itali mund të bëhet vetëm me një reduktim të rrogës që mesfushori shqiptar merr te Gallatasaraji. Dhe në fakt, bëhet fjalë për një shumë aspak të vogël, por 800 mijë euro. Lacio i ofron një pagë vjetore neto prej 1.7 milionë eurosh, ndërkohë që Loriku aktualisht merr rreth 2.5 milionë euro neto në Turqi. Një shifër që për bardhekaltërit duket e papërballueshme, duke parë sistemin fiskal në Itali. Por, nëse Tare i ka kërkuar Canës të bëjë presion te Gallatasaraji për t'u shitur, vetë drejtori sportiv i Lacios do të duhet të bindë presidentin Lotito të rrisë rrogën për mesfushorin kuqezi. Burime pranë mesfushorit kuqezi bëjnë të ditur se për momentin, pavarësisht çfarë thuhet në shtypin italian dhe atë turk, nuk ka asgjë konkrete në këtë tratativë. Kësisoj, çdo gjë do të vendoset në muajt e verës, kur të shihen më mirë edhe planet e Lacios apo të Gallatasarajit. Sidoqoftë, ana financiare mbetet problemi kryesor.

Burimet redakto